Paratë po e ndryshojnë rrënjësisht futbollin. Mbërritja në kontinentin e vjetër gjatë dekadës së fundit e investitorëve nga SHBA, Rusia dhe bota arabe, ka prishur të gjithë ekuilibrat e krijuara në mënyrë të natyrshme për vite e vite me radhë në futbollin e klubeve. Zyrtarizmi i marrjes së 25% të aksioneve të miliarderit britanik Jim Ratclife tek Manchester United e dëshmon plotësisht një gjë të tillë.

Ratclife, pronar edhe i klubit të Nices në Francë,  pagoi 1 miliard e 440 milionë euro për të marrë vetëm çerekun e aksioneve të djajve të kuq duke iu bashkuar kështu familjes Gleizer që zotëronte të gjithë aksionet e klubit të famshëm anglez që prej vitit 2005.

71-vjeçari, pronar i Ineos një prej kompanive më të mëdha në botë për produktet kimike, por jo vetëm edhe në hidrokarbure, do të investojë menjëherë 300 milionë euro në infrastrukturën e klubit dhe çfarë është më e rëndësishmja lidhet me faktin se në bazë të marrëveshjes Ratclife do të ketë në dorë të gjithë menaxhimin tekniko-sport të klubit

Sipërmarrësi i famshëm kishte 13 muaj që dëshironte të hynte në familjen e United dhe për ta arritur iu desh të mposhte as më pak e as më shumë por  sheikun e fuqishëm të Katarit, Jasim Bin Hamad al Thani. Pagesa e 1.44 miliard euro për vetëm 25% të aksioneve të Manchester United është marrëveshja më e madhe në historinë e sportit të futbollit. Pritet tani që United të përfshihet nga një minirevolucion me synimin për ta kthyer klubin në kohërat e arta të 10-15 viteve më parë. A do të mjaftojnë eurot dhe dollarët për ti dhënë suksesin djajve të kuq? Vështirë të thuhet, Chelsea që ka harxhuar pa fund vitet e fundit për të qenë sot në mesin e tabelës është shembulli konkret, ku paratë nuk mund të jenë gjithçka nëse menaxhimi është problem. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *