Zv.kryetari i LSI-së, Luan Rama ka publikuar raportin e Zyrës së Kombeve të Bashkuara për drogën dhe krimin, që analizon në detaje krimin e organizuar në Ballkanin Perëndimor.

 

Ky raport, sipas Luan Ramës, thekson se Shqipëria është vendi kryesor në Evropë i origjinës së kanabisit.

 

“Qeverisja e pseudorilindjes e shndërroi Shqipërinë në vatrën më të rrezikshme të krimit, kultivitimit dhe trafikimit të kanabisit në rajon dhe në Evropë, por e thënë nga një organizatë prestigjioze, nga një zyrë autoritare siç është zyra e Kombeve të Bashkuara që analizon dukuritë e krimit të organizuar në Ballkanin Perëndimor, kjo e vërtetë është padyshim një akuzë e rëndë dhe e drejtpërdrejtë ndaj qeverisë shqiptare. Sipas të njëjtit raport, bazuar në intervista të shumta që reporterët kanë mbledhur në terren, “trafiku i drogës dhe prodhimi, duket se shpesh janë të lidhura  me krimin e organizuar, e megjithatë pjesëmarrja në krimin e organizuar ka nivele shumë të ulëta dënimi në Shqipëri”.  Pra, evidentohet raporti shumë i ulët të dënimeve të krimit të organizuar dhe të trafikut të drogës në Shqipëri, çka evidenton në fakt problemin e madh që ekziston me sistemin e drejtësisë, me funksionimin e agjencive të zbatimit të ligjit.”

 

Për Luan Ramën, raporti thekson edhe se rëndësia e Shqipërisë si një vend transit për kokainën e Amerikës Latine në Evropën Perëndimore është rritur gjithnjë e më tepër.

 

“Gjithsesi kjo situatë është padyshim vetëm njëra anë e medaljes, sepse për fat të keq, raportet e qeverisë me krimin janë shumë më të mëdha, janë shumë më tepër sesa vetëm me kultivimin dhe me trafikimin e drogës.  Raporti është një pamje reale e situatës kriminale në Shqipëri. Është një realitet i trishtë, i rëndë që tregon jo vetëm pafuqishmërinë e qeverisë për të zbatuar ligjin në ndëshkim të krimit dhe të korrupsionit, por ç‘është më e keqja, lë të kuptohet se qeveria është vetë pjesë stimuluese, motivuese dhe koordinuese e gjithë kësaj veprimtarie kriminale. Nuk është hera e parë, ne edhe në raste të tjera kemi denoncuar me fakte dhe me prova lidhjen e qeverisjes me krimin dhe rolin e krimit në politikat qeverisëse të vendit.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *