Të 15 protestuesit e arrestuar të dielën në mbrëmje gjatë tubimit të dhunshëm të PD-së, rifituan lirinë. Të gjithë kanë detyrimin për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, pas vendimit të marrë nga Gjykata Penale.
Gjatë protestës kombëtare të Partisë Demokratike të datës 22 mars ndaj godinës së kryeministrisë u hodhën bomba molotov dhe fishekzjarre.
Rreth 1400 forca policore ndodheshin në terren për të mbrojtur qytetarët dhe institucionet e vendit, duke përdorur gaz lotsjellës dhe ujë me presion.
Ndërkohë, protesta e konceptuar në formën e një marshimi u shpërnda, ndërsa turmat e tubuesve iu drejtuan Ministrisë së Brendshme e më pas selisë së PS-së.
Të dyja këto godina patën të njëjtin fat si kryeministria, ndërsa një tjetër zonë e nxehtë ishte edhe ajo te Rruga e Elbasanit.
Në po të njëjtën zonë përfunduan të djegur disa policë, të cilët u dërguan në Spitalin e Traumës.
Protesta kombëtare e 22 marsit ishte e shtata e llojit të saj. Partia Demokratike ka lajmëruar se do të vazhdojë protestat deri në largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike.





