Samiti i shtatë vendeve më të industrializuara në botë që u mbajt në Kanada u mbyll me një deklaratë të përbashkët ku shprehej mbështetja e fortë për Izraelin dhe Irani cilësohej si një burim paqëndrueshmërie për të gjithë rajonin.
“Ne kemi qenë vazhdimisht të qartë se Irani nuk mund të ketë kurrë një armë bërthamore. Ne kërkojmë që zgjidhja e krizës iraniane të çojë në një ulje më të gjerë të armiqësive në Lindjen e Mesme, duke përfshirë një armëpushim në Gaza”, thuhej në deklaratë.
Megjithatë, mediat raportojnë se mes liderëve pati mospajtueshmëri për disa çështje gjatë dy ditëve të qëndrimit në Alberta.
Largimi i presidentit Donald Trump përpara përfundimit të samitit, një reagim tallës i tij ndaj Macron dhe qëndrimi për nxjerrjen e Rusisë nga grupi G8 kanë forcuar edhe më përshtypjet e përçarjes.
Presidenti Macron tha për mediat se Trump u largua më herët pasi kishte siguruar një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit, gjë që u hodh poshtë me përqeshje nga kreu i Shtëpisë së Bardhë.
“Në kërkim të publicitetit, presidenti Emmanuel Macron gabimisht tha se unë u largova nga Samiti I G7-tës për të punuar për një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit. Gabim! Ai nuk e ka idenë pse jam tani duke shkuar në Uashington, por sigurisht që kjo nuk ka të bëjë fare me një armëpushim. Shumë më tepër se kaq. Me apo pa qëllim, Emmanuel gjithmonë gabon. Qëndroni në vëmendje”, tha Trump.
Gjatë samitit Trump kritikoi nxjerrjen e Rusisë nga G8 kur Moska pushtoi Krimenë në vitin 2014 dhe tha se nëse nuk do të ishte përjashtuar lufta Rusi-Ukrainë nuk do të kishte ndodhur.
Largimi i hershëm nga samiti i Trump, anashkaloi gjithashtu një takim mes tij dhe Zelenskyt që ishte planifikuar të mbahej pas përfundimit të punimeve./vizionplus.tv





