Subscribe

Përmirësohet situata hidrike në liqenin e Fierzës, si pasojë e reshjeve të rëna në tre ditët e fundit në verilindje të vendit.

 

Prurjet e lumejve që furnizojnë me ujë basenin ujëmbledhës më të madh në vend, aktualisht kanë arritur 800 metër kub në sekondë dhe pritet që në ditët në vijim niveli i ujit të liqenit të Fierzës të rritet.

 

Të dhënat zyrtare nga korporata elektro energjitike bëjnë të ditur se kuota aktuale e liqenit është 263.04 metra.  Dhe krahasuar me vetëm 6 ditë më parë, niveli i ujit në Fierzë, është rritur me 4 metra.

 

Përkundër sasisë së reshjeve të ditëve të fundit, hidrocentrali i Fierzës vijon të mos prodhojë energji me qëllim ruajtjen e rezervave ujore. Ato pësuan rënie historike për shkak të thatësirës dhe prodhimit të energjisë.

Vetëm pak ditë më parë, niveli i ujit arriti në 257m, që konsiderohet më i ulëti në 20 vite.

 

Ekspertët vërejnë se pika optimale në liqen është 271 metër, ndërsa ajo minimale 244 metra. Kur ka prurje masive, liqeni mund të arrijë kuotën maksimale prej 296 metrash.

 

Korporata ndërkohë bën të ditur se në kushtet aktuale prodhimi ditor në Fierzë, Koman dhe Vaun e dejës është 8344 megavat / orë, ndërsa rezerva energjitike në vend është 315 gigavat.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *