Presidenti Ilir Meta ka sqaruar deklaratën e tij se mazhoranca po tënton të bëjë grusht shteti përmes kapjes së Gjykatës Kushtetuese.

 

Gjatë një konferencë për mediat, Meta shpjegoi se skenarët për realizimin e grushtit të shtetit janë të formave të ndryshme. Sipas Metës, një nga mënyrat mund të jetë kur opozita përpiqet ta marrë me forcë pushtetin, si dhe kur një pushtet kërkon të marrë në mënyrë antikushtetuese pushtetin e një institucioni tjetër legjitim.

 

“Të mos e ngacmojnë Kushtetutën dhe Gjykatën Kushtetuese, sepse pastaj legjitimitetin e merr populli. Grushti i shtetit ka disa forma, kur një opozitë përpiqet të marrë qeverinë me forcë e dhunë dhe mënyra të armatosura, por ka forma, kur një pushtet kërkon të marrë në mënyrë antikushtetuese pushtetin e një institucioni tjetër legjitim dhe në këtë rast kemi, në mënyrë antikushtetuese, rrëmbimin e kompetencave të Presidentit, për të pasur një gjykatë garantë të Kushtetutës, të balancuar, të pavarur, që është edhe gjyqtarja e probleme që ka shoqëria jonë, shteti ynë, institucionet tona. Kush e garanton unitetin tonë kombëtar? Vetëm Kushtetuta.”

 

Presidenti tha se i ka paralajmëruar të gjithë prej kohësh se Kushtetuta është “vija e kuqe” dhe nuk mund të preket.

 

Ndërkohë, e fton edhe njëherë popullin që të bashkohet më 2 mars për të mbrojtur Kushtetutën, për të cilën tha se “është lënduar, gjakosur dhe përdhunuar”.

 

“Ka Republikë pa kryeministër po pa president s’ka Republikë në botë. Mbi Kushtetutën është vetëm populli”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *