Nga Esido Barkaj
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar biznesmenin e arrestuar Pëllumb Gjoka i cili kërkoi pavlefshmërinë e provave që SPAK ka siguruar ndaj tij në kuadër të dosjes Metamorfoza.
Gjoka i ishte drejtuar më heret kësaj gjykate me shpresën e fundit për të rrëzuar të gjitha provat që Prokuroria e Posaçme kishte siguruar ndaj tij, në zbërthimet e aplikacioneve ‘Sky Ecc’ dhe ‘Encro Chat’. Sipas tij këto mesazhe nuk duhet të merren si fakte penale, por mesa duket Kushtetuesja në vendimin e zbardhur këtë të hënë, i ka dhënë të drejtë SPAK-ut duke rrëzuar kërkesën e biznesmenit Pëllumb Gjoka, i vënë nën akuzë për vepra shumë të rënda penale si përfshirja në vrasje dhe krime të tjera.
Kanë qënë materialet e ardhura nga autoritetet franceze dhe belge ku i dorëzuan SPAK-ut me qindra fashikuj në përmbajtje të të cilave kishte komunikime të grupeve kriminale.
Më pas SPAK nisi hetimet ku bazuar në këto komunikime lëshoi një serë urdhra arrestesh duke hedhur dritë në shumë ngjarje të rënda kriminale si vrasje, shpërthime tritoli, grupe të strukturuara të konsideruara si të paprekura prej vitesh, ku nuk munguan as krerë të lartë të policisë dhe të prokurorisë.
Pikërisht zbërthimet e këtyre dy aplikacioneve zbardhën edhe disa krime të tjera të rënda në dosje të tjera që po hetohen nga SPAK. Në mesin e tyre është edhe një prej ish-ligjvënësve të Parlamentit shqiptar, Jurgis Çyrbja. Ky i fundit u arresua pikërisht për shkak të shfrytëzimit të aplikacionit në funksion të krimit të organizuar.
Vendimi i kësaj të hënë i Gjykatës Kushtetuese në favor të SPAK është një fitore e madhe për këtë të fundit. Kjo për faktin se Prokuroria Antikorrupsion prej të paktën dy vitesh, nga zbërthimi i Sky Ecc dhe Encro Chat, ka zbardhur vrasjet monstruoze të ndodhura gjatë viteve të fundit ku ka goditur grupe të rrezikshme kriminale, por nuk kanë munguar as zbulimi i zyrtarëve të lartë të përfshirë në krim.





