Kufijtë, Meta takon Thaçin: Dialogu Serbi-Kosovë garanton të ardhmen e tyre në BE

Presidenti i Republikës Ilir Meta është takuar këtë të dielë me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në Durrës, ku temë bisede mes dy presidentëve ka qenë rritja e bashkëpunimit mes dy vendeve, por pa dyshim edhe debati i fundit për rishikimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kreu i shtetit shqiptar Meta përmes një postimi në Facebook thotë se me rëndësi është vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve, por edhe të ardhmen e tyre në BE.
“Kënaqësi të takohesha sot në Durrës për një drekë pune me Presidentin e Republikës së Kosovës, z.Hashim Thaçi. Rritja e mëtejshme e shkëmbimeve të gjithanshme midis dy vendeve është një prioritet i përbashkët. Forcimi i stabilitetit rajonal dhe perspektivës europiane të rajonit është qëllim i përbashkët. Ndaj është me rëndësi vazhdimi i dialogut për normalizimin përfundimtar të marrëdhënieve Kosovë – Serbi që do të garantojë jo vetëm njohje reciproke midis dy vendeve si edhe të ardhmen e tyre në BE por dhe një bashkëjetesë të përhershme midis shqiptarëve e serbëve në interes të gjeneratave të ardhshme.”




