Subscribe

Shqipëria është stacioni i parë i turit rajonal të Presidentit të Këshillit Europain, Donald Tusk.

 

Zyrtari i lartë mbërriti nga Brukseli për të ofruar mbështetjen për fazën e rëndësishme të udhëtimit europian të Shqipërisë, çeljen e negociatave. Gjë të cilën ia bëri të qartë kryeministrit Rama gjatë takimit, duke ripohuar se procesi nuk është një udhëtim i lehtë, por një sfidë me pengesa.

 

 “Rekomandimi tregon se keni bërë përpjekje të mëdha dhe se jeni gati. Dhe është ëndrra ime që Shqipëria të ndjekë të njëjtin rrugëtim për në BE ashtu si atdheu im. Me historinë tuaj krenare, me Skënderbeun që mbrojti Europën nga Perandoria Otomane, nuk kam asnjë dyshim se ju do ta bëni këtë. Dhe është po kështu, në interesin më të mirë europian që Shqipëria dhe i gjithë rajoni i Ballkanit të jetë i integruar plotësisht në BE.”

 

Presidenti Tusk renditi dhe problemet kryesore te cilave Shqipëria duhet t’u japë zgjidhje.

 

‘Nuk do të ndodhë brenda natës, do të ketë shumë sfida dhe punë të madhe gjatë rrugës, duke filluar me garantimin e shtetit të së drejtës, luftës kundër krimit të organizuar dhe reformën ambicioze të drejtësisë. Ajo çfarë keni bërë dhe dua të jem shumë i qartë, është e mjaftueshme për të çelur bisedimet për anëtarësim. Nuk ka asnjë dyshim. Nuk është vetëm thelbi i rekomandimit, por është edhe opinioni im dhe nuk jam i vetëm në këtë. Një tjetër sfidë do të jetë që të binden të gjitha shtetet anëtare të BE në qershor për të nisur negociatat. Jam i vetëdijshëm se ky proces do të ngjajë më shumë si një garë me pengesa se sa një autostradë. Por nuk kam asnjë dyshim se integrimi i plotë mbetet fati ynë i përbashkët.”

 

I vetëdijshëm për procesin e vështirë, Rama the se Shqipëria meriton nisjen e bisedimeve me Brukselin zyrtar.

 

Para vendimit final për çeljen e negociatave, drejtuesit e vendeve anëtare të BE dhe ata të rajonit, do të mblidhen në kryeqytetin bullgar Sofje.

 

“Më 17 Maj, Samiti do të mbledhë së bashku udhëheqësit e BE dhe të rajonit. Në Sofje duhet të riafrimojmë perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor. Por ajo që mbart rëndësi është që samiti duhet të përcaktojë mënyrat dhe mjetet për të përmirësuar me dhe brenda rajonit. Kjo ka të bëjë me lidhjet njerëzore, dixhitale dhe infrastrukturore. Shqipëria dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të jetë plotësisht të integruara në korridoret europiane të transportit. Të udhëtosh midis kryeqyteteve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të zgjasë më shumë se sa fluturimet për në Pekin, siç ndodh.”

 

Në funksion të lobimit për një vendim pozitiv të çeljeve të negociatave, mbrëmjen e kësaj të marte, kryeministri Rama udhëton drejt Berlinit, për të zhvilluar një ditë më pas një takim me kancelaren gjermane Angela Merkel.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *