Subscribe

Një ditë para zgjedhjeve, kryetari i KQZ-së Klement Zguri, deklaron se institucion që drejton, ka gjithçka gati për një proces të pakontestueshëm dhe me standarde. Por ai shprehet i prerë se nuk do të tolerohet askush që do të cenojë garën elektorale.

 

“Duke u garantuar mbështetjen e plotë komsionerëve të të gjitha niveleve, dua të paralajmëroj se KQZ nuk do të tolerojë askënd që me veprimet apo mosveprimet e tij të cenojë ecurinë dhe përmbylljen me sukses të procesit zgjedhor. Komisioni ka vullnet të plotë për të ndëshkuar rreptësisht çdo sjellje dhe veprim të komisionerëve apo numëruesve, në kundërshtim me detyrën dhe në dëm të mbarëvajtjes së procesit. Procesi zgjedhor është më i rëndësishëm se çdo parti. Komisionerët dhe numëruesit janë në detyrë dhe në shërbim të ligjit dhe jo të partive politike.”

 

Një apel të drejtpërdrejt kreu i KQZ e ka edhe për partitë politike, të cilat duhet të respektojnë ligjin.

 

“Mbarëvajtja e këtyre zgjedhjeve varet tërësisht nga sjellja e aktorëve në proces, ndaj presioni mbi zgjedhësit, ushtrimi i ndikimit të paligjshëm dhe çdo mënyrë sjelljeje që pengon votuesit në shprehjen e lirë të vullnetit, është dhunim i Kodit Zgjedhor dhe sjell pasoja të rënda ligjore, deri në dënime të rënda penale. Në emër të KQZ-së, u kërkoj institucioneve ligjzbatuese t’i kushtojnë vëmendje të posaçme parandalimit/pengimit të incidenteve, si dhe kapjes e ndëshkimit të dhunuesve të ligjit.”

 

Drejtuesi i institucionit përgjegjës për organizimin e zgjedhjeve thotë se administrata e KQZ është në gatishmëri për t’iu përgjigjur çdo urgjence apo problematike që mund të krijohet gjatë ditës së votimit.

 

“Kanë të drejtën e votës, 3 milion e 452 mijë e 260 shqiptarë të cilët janë të regjistruar për  të votuar në 5.362 qendra votimi. Në listën e zgjedhësve përqindja e femrave është 49,49%, ndërkohë që kandidate femra janë 1.073 ose e thënë ndryshe 40,23%. Zgjedhjet parlamentare do të vëzhgohen nga 5351, nga të cilët 896 janë nga misionet vëzhguese ndërkombëtare.”

 

Apelin e fundit kryekomisioneri Zguri ia drejtoi zgjedhësve, të cilët i ftoi të marrin pjesë masivisht në votime dhe të ushtrojnë në liri të plotë e në respekt të ligjit të drejtën e tyre kushtetuese.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *