E mërkurë, 28 Tetor 2026 Takohemi N'vizion deri në 18:00 Në vijim ora 18:00: Trashëgimtari Halef Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Kosova

Kosova rrezikon të shkojë në zgjedhje, Vetëvendosje nuk tërhiqet nga emri i Albuelna Haxhiut, opozita refuzon

Pas dështimit të seancës së gjashtë radhazi për konstituimin e Kuvendit, Kosova mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Kjo për shkak të mungesës së vullnetit për të gjetur një zgjidhje për kryetarin e ri të kuvendit.

Reklamë

Vetëvendosja si parti e parë, edhe pse nuk i ka votat e mjaftueshme nuk pranon të ndërrojë emrin e Albulena Haxhiut.

“Vetëvendosje e ka qëndrimin e qartë… është e rëndësishme që të zhbllokohet Kuvendi i Kosovës, unë besoj që qytetarët e Kosovës e kanë tepër të rëndësishme që të konstituohet Kuvendi dhe të votohet qeveria e re”, tha deputetja Albulena Haxhiu.

Reklamë

Nga ana tjetër opozita ka deklaruar se nuk do ta mbështesë Haxhiun në asnjë rrethanë.

“Kjo është peng-marrje e shtetit të Kosovës për teket e një partie, të një njeriu dhe të një kandidati. Sikur të dëshironin zgjidhje kanë pasur mundësi edhe sot edhe pardje, kanë pas mundësi edhe para katër ditësh, të njëjtën mundësi e kanë edhe pasnesër që ta ndërrojnë kandidatin sepse nuk imponohet kandidati kur se ke shumicën parlamentare. Problemi themelor pra është që këta nuk kanë numra për ta bërë qeverinë”, tha kreu i PDK, Memli Krasniqi.

Mimosa Kusari Lila nga Vetëvendosje tha se kjo situatë nuk mund të vazhdojë përgjithmonë.

“Nëse na kushtëzojnë me votimin e kryetarit, ne i kushtëzojmë me votimin e nënkryetareve. Nëse vazhdon kjo situatë opsioni i fundit për neve janë zgjedhjet. I bëj thirrje partive qe t’i thërrasin arsyes, nëse e votojnë kryetarin i votojmë edhe nënkryetaret. Të dielën është afati i fundit i parapare për mbajtjen e seancës konstituive”, tha Mimoza Kusari-Lila.

Kandidaturës së kryetarit të Kuvendit dhe nënkryetarëve do t’i duhen të paktën 61 vota për tu zgjedhur, dhe nëse procesi kryhet të dielën, kjo do t’i hapte rrugë formimit të qeverisë së re./vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë