Në Tiranë po zhvillohet Konkursi Ndërkombëtar për Rilindjen e Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi”, ku gjashtë skuadra finaliste nga vendi dhe jashtë saj prezantojnë përpara jurisë projekt-idetë arkitekturore për transformimin e këtij objekti historik.
I pranishëm në aktivitet, Kryeministri Edi Rama theksoi rëndësinë e këtij procesi, duke u ndalur te vlera që Pallati i Sportit “Asllan Rusi” ka pasur ndër vite si një simbol i garës sportive dhe pasionit të tifozëve.
Ai u shpreh se projekti do të sjellë një hapësirë të re për sportin elitar në Shqipëri, duke kontribuar në qëllimin e vendit për të organizuar ngjarje sportive të nivelit të lartë europian.
Fjala e Ramës:
Unë besoj se skuadrat finaliste të konkursit Rilindjen e Pallatit të Sporteve “Asllan Rusi” do të na vënë në pozitë të vështirë për të përzgjedhur projektin më të mirë, sepse janë të gjitha skuadra me talente të jashtëzakonshme dhe me kapacitete të provuara në shumë vende të tjera, një pjesë e të cilave punojnë edhe në Shqipëri dhe jemi shumë krenarë për këtë. Por kam besim se do ja dalim të bëjmë një gjykim ashtu si duhet.
Dua të shpreh kënaqësinë që në sallë shoh disa nga protagonistët e mëdhenj të kohës kur Pallati i Sportit vlonte nga shpirti i garës dhe nga tifozët.
Do të furnizojë këtë Pallat Sporti me prurje të reja, talente dhe yje të reja.
Shqipëria sot është në kohën kur synon shumë lart, edhe në aspektin e pjesëmarrjes në kompeticione ndërkombëtare. Zhvillimi i finales së Conference League në futboll ishte një kompeticion mes një larmie aktivitetesh kombëtare që zhvillohen në Shqipëri. Synimi për të luajtur në Shqipëri finalen e Superkupës Europiane edhe në basketboll dhe volejboll nuk është i paarritshëm.
Ky projekt, ky Pallat Sporti, do të na japë mundësinë që të kemi një kandidaturë shumë të besueshme të Shqipërisë, për të pasur këtu finale dhe ndeshje të niveleve të larta europiane.
/vizionplus.tv





