Vision Plus ka zbardhur debatet mes opozitës dhe mazhorancës gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve.
Mazhoranca dhe opozita janë përplasur për reformën zgjedhore, funksionimin e Parlamentit dhe situatën politike në vend.
Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla, akuzoi opozitën për bllokim të reformave dhe paralajmëroi vijimin e punës edhe pa pjesëmarrjen e saj, ndërsa kërkoi bashkëpunim për një Kod të ri Zgjedhor sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Nga ana tjetër, nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, akuzoi mazhorancën për dhunim të rregullores, pengim të fjalës së opozitës dhe kapje të drejtësisë, duke paralajmëruar përballje politike në Kuvend dhe në sheshet e vendit.
Taulant Balla: Zonjat dhe zotërinjtë e opozitës Mos humbisni kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur.
Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës. Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ju plotësisht për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, Ndarje Administrative Territoriale funksionale, e gjithçka tjetër. Por duhet ta fiksoni mirë në mendje se ju nuk mund të bllokoni reformat. Kemi bërë një marrëveshje në sesionin e kaluar për ngritjen e komisioneve. Nëse ju sot thoni “terhiqeni nga komisionet”, kjo është shkelje e marrëveshjes në mënyrë të njëanshme. Ne do të detyrohemi të vazhdojmë punën edhe pa ju.
Komisioni i Posaçëm i Reformës Zgjedhore duhet të adresojë rekomandimet e OSBE-ODIHR-it, ku përparësi të veçantë ka depolitizimi i plotë i administratës zgjedhore. Duhet të marrë fund kjo qasje e papranueshme për një vend anëtar të BE-së: partitë votohen, partitë numërojnë. Gjithashtu, të gjithë ia themi njëri-tjetrit majtas-djathtas, në ato netët pafund të numërimit në pllatet e sportit apo palestrat e shkollave, sa herë kemi zgjedhje. Dhe këtu duhet ta ripërsërisim me zë të lartë nevojën e nxjerrjes së rezultatit të zgjedhjeve në një kohë më të shkurtër, pse jo të mos kryhet numërimi në qendrat e votimit. Fakti është se, qoftë për komisionet zgjedhore partiake, qoftë për vonesën në nxjerrjen e rezultatit zgjedhor, koha nuk pret më as për zgjedhjet vendore 2027. Reforma zgjedhore sa i përket Kodit Zgjedhor kërkon të paktën 84 vota në Kuvend. Por ne e kemi bërë publike ambicien tonë për një reformë më të thellë, e cila të përfshijë edhe zvogëlimin e numrit të deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë në të paktën 100 apo 101 deputetë. Dëgjova zotin Gjekmarkaj se opozitës i është mohuar e drejta e fjalës. Ka një indikator shumë domethënës nga sesioni i kaluar: koha e diskutimeve. Opozita ka marrë 48 orë diskutime, shumica bashkë me Qeverinë 40 orë diskutime në seanca plenare.
Agron Gjekmarkaj: Ju, Zoti Kryetar, na uruat vitin e ri dhe unë ju uroj vit të mbarë secilit në plan personal, po këtu nuk si përfaqësues të vetes dhe të shtëpive tona, por të qytetarëve që shohin një parlament të bllokuar! Viti nuk ka filluar mirë, sepse viti tjetër mbaroi keq! Katër muajt nga shtatori në dhjetor kanë qenë muajt më të shëmtuar të parlamentarizmit, dhunim i rregullores, dhunim i opozitës, në 11 seanca vetëm një a dy herë kemi bërë debat normal, sepse keni patur frikë nga fjala e opozitës, të përfshirë nga skandalet tuaja! Që të kemi vit të mbarë duhet që drejtësia të mos merret peng, që viti mos të fillojë me hungerima, përçarje e çjerrje se si doni tregoni vendin opozitës!
Ju them mos guxoni!
Do ta keni përballë Opozitën në Kuvend dhe sheshet e Shqipërisë! Mëqë Zoti Balla ju referuar raportit të OSBE-ODIHR-it, i them se ai raport ju rrezoi zgjedhjet e vjedhura të 11 Majit, ato dy të tretat që ju thoni! Zoti Balla foli për një Shqipëri që nuk ekziston, foli për vizione, duke shmangur atë që Shqipëria reale pret të dëgjojë, atë që qytetarët duan: denimin e korrupsionit, çfarë keni për të thënë për drejtësinë e marrë peng me dhunë nga mazhoranca, për sekserin a taksidarin e Republikës që ta ka pushuar nga puna edhe ty si ministër apo ndonjë tjetër këtu! Hakmarrja e drejtësisë, jo “hakmarrja për drejtësi”, do të bjerë mbi ju, nga brenda dhe nga jashtë, është dialektike, nuk i shmangeni dot.





