Ministri i Drejtësisë Toni Gogu prezantoi këtë të martë prioritetet e institucionit që drejton duke vendosur një theks të veçantë tek Kodi i ri Penal. Sipas tij, po pritet ende drafti final nga grupi i punës që më pas të konsultohet me ndërkombëtarët.
“Në proces kemi disa ligje të rëndësishme që u shërbejnë objektivave strategjike siç është Kodi Penal, jemi në fund të tij, presim nga grupi i punës të marrim draftin dhe ta konsultojmë me ekspertët ndërkombëtarë. Kodi Penal do të siguronte që krimi ekonomik të ketë vëmendjen e duhur, pastrimi i parave, proporcionaliteti penal dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”, tha ministri i Drejtësisë Toni Gogu.
Duke garantuar se do të realizohet, shpresë për mijëra të burgosur ishte fjala e ministrit Gogu për amnistinë. Sipas tij pritet vlerësimi nga Komisioni Europian dhe menjëherë më pas, do të nisë diskutimi i saj në parlament.
“Është një instrument i politikës sonë penale që u dizenjua për të adresuar disa problematika, në radhë të parë fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe kjo ka të bëjë me situatën që kemi me popullimin në burgje. Do të ndodhë, patjetër. Jemi treguar shumë të kujdesshëm që në të gjithë procesin që kemi të avancimit të vendit drejt anëtarësimit, t’i shqyrtojmë prioritetet sipas rëndësisë. Amnistia është në parlament. Pasi të kemi marrë vlerësimin për ‘Themeloret’, do të fillojmë të merremi me amnistinë, me vëmendjen që i takon. Në ditët në vijim, besoj që do të fillojë diskutimi në parlament”, shtoi Gogu.
Problematikave për hartën e re gjyqësore, e kundërshtuar fort sidomos nga avokatët, Gogu tha se sipas ligjit ajo do të rishikohet pas dy vitesh.
Kërkesa e të pandehurve Ilir Meta, Erion Veliaj dhe Ilir Beqaj të cilët kanë këmbëngulur në transmetimin live të seancave gjyqësore, por nga ana tjetër gjykatat kanë refuzuar duke lejuar kamerat vetëm për pak minuta, ministri Gogu tha se kjo vendimmarrje i takon vetëm togave të zeza.





