Subscribe

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi deklaroi se po bisedohet me ekspertët për të patur një hapje graduale të kufijve, me qëllim që t’i hapet rruga zhvillimit të turizmit në Shqipëri.

Në një prononcim për emisionin “E-Zone” në “Vizion Plus”, Klosi tha se pritshmëritë janë që fundi i majit ta gjejë Shqipërinë më dyer të hapura për rajonin. Ndërsa në ditët para të qershorit autoritetet presin charterat e parë me turistë.

“Kam qenë në komunikim të vazhdueshëm me kolegët e rajonit, sidomos me ata që kemi kufij tokësorë. Le të kemi një hapje të parë, ashtu siç e këshillon edhe BE, edhe Prganizata Botërore e Turizmit për të forcuar shkëmbimet turistike të rajonit. Ne po negociojmë me ekspertët e shëndetësisë dhe do të donim që brenda fundit të muajit maj ne të kemi mjë hapje të kufijve me rajonin dhe të kemi një mundësi që të fillojë lëvizja e lirë. Turizmi është një sektor shumë i vështirë dhe me shumë pikëpyetje. Por ne do të vazhdojmë negociatat edhe me kolegët e vendeve që ne kemi targetuar si burime turistike për Shqipërinë, kështu kemi shumë shpresa se do të mund të gjejmë një dakordësi me shëndetësinë që në ditët e para të qershorit ne do të kemi charterat e parë me turistë. Nëse do të kemi të gjallëruar turizmin rajonal, turizmin që arrin në Shqipëri përmes makinave dhe linjave tokësore, besoj se do të kemi një sezon që do të rigjenerojë veten aq sa të jetë e mundur.”

Ministri bëri me dije se plani është që ditët e humbura të turizmit gjatë pranverës të zëvendësohen në muajt e vjeshtës.  

“Po punojmë fort edhe me agjencitë turistike që ato ditë të turizmit, sidomos të huaj, të programuara në Shqipëri, të mos humbasin. Edhe tetori, edhe nëntori të jenë të gatshëm të presin turistë të huaj.”

Blendi Klosi shtoi se agjencitë turistike kanë qenë në vëmendjen e qeverisë gjatë kësaj krize dhe se janë ndihmuar shumë. Sipas tij, po diskutohet me bankat për një shtyrje tjetër të kësteve të kredisë për 3 muaj, siç kërkojnë edhe operatorët turistikë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *