Miroslav Lajçak, një prej figurave më të spikatura të diplomacisë sllovake dhe evropiane, ka dhënë dorëheqjen nga posti i këshilltarit të kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico. Vendimi i tij vjen pasi emri i tij u përmend në dokumente që lidhen me skandalin e Jeffrey Epstein, financierit amerikan të dënuar për abuzime seksuale dhe trafikim njerëzish.
Çështja mori vëmendje të gjerë publike pasi u raportua se Lajçak kishte pasur komunikime të mëparshme me Epstein, çka ngriti dyshime dhe pikëpyetje mbi natyrën e këtyre kontakteve.
Sipas raportimeve, emri i Lajçakut figuron në disa shkëmbime komunikimesh me Epstein, duke nxitur debat dhe shqetësim në opinionin publik. Edhe pse ai ka një karrierë të gjatë dhe të suksesshme diplomatike – përfshirë detyra si ministër i Jashtëm i Sllovakisë dhe i dërguar special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë–Serbi, reagimet ndaj këtyre zbulimeve ishin të menjëhershme, raporton Pravda.
Në deklaratën e tij, Lajçak mohoi që komunikimet me Epstein të kenë qenë të natyrës kompromentuese. Ai theksoi se kontaktet ishin rastësore, informale dhe jo profesionale, duke shtuar se nuk ka përfituar asgjë prej tyre. “Nëse do të kisha qenë i informuar për natyrën kriminale të veprimtarisë së Epstein, nuk do të kisha pasur asnjë ndërveprim me të”, u shpreh ai, duke vënë gjithashtu në dyshim saktësinë e disa prej mesazheve të publikuara.
Nga ana e tij, kryeministri Robert Fico konfirmoi pranimin e dorëheqjes së Lajçakut, duke e cilësuar atë si një diplomat të jashtëzakonshëm. Fico kritikoi reagimet publike, të cilat i përshkroi si të ekzagjeruara dhe të bazuara në spekulime, ndërsa theksoi se dorëheqja synon të shmangë dëmtimin e reputacionit të shtetit sllovak në një periudhë të ndjeshme.
/vizionplus.tv





