Policia e Shtetit i është kundërpërgjigjur deklaratës së PD-së lidhur me situatën e kultivimit të kanabisit në vend.

Në një reagim në “Facebook” thuhet se çdo rast i tentativës për kultivim që është konstatuar është goditur dhe personat përgjegjës janë dërguar para drejtësisë.

“Rasti më i fundit ishte në Zall Dardhë të Dibrës, ku u procedua penalisht kryetari i Njësisë Administrative, kryeplaku i fshatit dhe u shpallën në kërkim 3 autorë të dyshuar. Foton e këtij rasti PD e serviri për publikun si rast në qarkun e Vlorës, ndërsa një foto tjetër si rast në Kukës, e cila në fakt daton disa vite më parë (viti 2016). Çdo ditë, mbi 125 grupe kontrolli, 30 dronë dhe helikopteri i Policisë po ushtrojnë kontrolle të pandërprera në të gjithë territorin. Falë bashkëpunimit me partnerët vijon monitorimi nga ajri me avion special nga Guardia di Finanza.”

Po ashtu, Policia e Shtetit thekson se ka proceduar dhe arrestuar dhjetëra zyrtarë lokalë e të administratës, ndërsa shton se nuk janë të pakta rastet kur punonjës policie i janë nështruar hetimit disiplinor apo procedimit penal.

“Janë dhjetëra persona të arrestuar e proceduar si autorë e përkrahës të krimit në tentativën për të kultivuar apo trafikuar kanabis dhe të gjitha këto tregojnë se Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar dhe e vendosur për ta luftuar deri në fund këtë veprimtari kriminale.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *