Kalaja e Elbasanit, me një histori dy mijëvjeçare, klasifikohet jo vetëm si kalaja më e madhe fushore në territorin shqiptar, por edhe ndër më të rëndësishmet në rajonin e Ballkanit.
Megjithatë, realiteti që ofron sot është larg potencialit të saj. Kalaja e Elbasanit nuk ka arritur të shndërrohet në një “magnet” për bizneset, të cilat aktualisht numërohen me gishtat e dorës.
Zgjidhja shihet tek një rivitalizim i plotë i këtij objekti të kategorisë së parë, i cili pritet të sjellë zhvillim dhe të rrisë ndjeshëm fluksin e turistëve.
Rivitalizimi i plotë i kalasë pritet të zgjerojë ofertën turistike të qytetit, duke rritur kohëzgjatjen e qëndrimit të vizitorëve dhe duke i dhënë një impuls të ri ekonomisë lokale.
Kalaja i ka fillesat në periudhën romake, në fund të shekullit të tretë të erës sonë, e ndërtuar fillimisht me formë katrore. Pas dëmtimeve të pësuara ndër shekuj, ajo u rindërtua gjatë periudhës osmane nga sulltan Mehmeti II.





