Një 30-vjeçare e akuzuar për “Mashtrim kompjuterik” u arrestua nga Policia e Tiranës. Shtetasja me inicialet V. Ll, njoftoi policia, kishte vendosur në dispozicion të disa shtetasve të huaj, llogarinë e saj bankare, me qëllim mashtrimin e shtetasve shqiptarë në hapësirën virtuale.

 

“Për këtë qëllim, kjo shtetase ka dërguar dhe kartën e saj bankare, së bashku me kodin përkatës, jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, me qëllim tërheqjen e këtyre shumave monetare nga këta shtetas. Kjo shtetase përfitonte 10% të shumës monetare për veprimet që kryente së bashku me këta shtetas. Nga verifikimet e kryera deri më tani rezultojnë se janë disa shtetas shqiptarë të dëmtuar, të cilët janë identifikuar plotësisht nga ana jonë. Po ashtu ekzistojnë dyshimet e arsyeshme që deri më tani ky grup ka arritur të dëmtojë shtetas shqiptarë dhe të huaj në shuma të ndryshme në një total prej 100.000 eurosh, por që nuk përjashtohet fakti që kjo shumë të ndryshojë me vazhdimin e mëtejshëm të hetimeve.” 

 

Policia zbardhi edhe të gjithë skemën sesi mashtronte 30-vjeçarja, duke shpjeguar edhe çfarë është “Mashtrimi i trashëgimisë”.

 

““Mashtrimi i trashëgimisë” është kur thuhet se dikush shumë i pasur nuk është më dhe se ju jeni ai që mund të marrë një trashëgimi të madhe. Një person që pretendon të jetë avokat nga jashtë shtetit ose pretendon të jetë ndonjë nëpunës tjetër ligjor ju dërgon një mesazh nëpërmjet postës elektronike (e-mail), një mesazh në rrjete sociale ose një letër.

 

Ata ju tregojnë se një person i pasur nuk është më dhe ka lënë pas një shumë të madhe parash duke përmendur dhe emrin tuaj.  Avokati është duke administruar trashëgiminë dhe nuk ka qenë në gjendje të identifikojë asnjë nga të afërmit e personit që nuk është më. Si rezultat, paratë do të shkojnë për qeverinë ose nuk mund të tërhiqen. Avokati sugjeron që, ai mund t’ju ndihmojë që ju të tërhiqni trashëgiminë dhe pastaj mund të ndani paratë midis jush.

 

Mashtruesit do të theksojnë nevojën për fshehtësi dhe do t’ju paralajmërojnë të mos i tregoni askujt tjetër në lidhje me marrëveshjen. Për t’ju nxituar në kryerjen e veprimeve dhe në të njëjtën kohë të ndërmerrni një vendim të nxituar, ata gjithashtu do të theksojnë nevojën për të vepruar shpejt duke vendosur dhe afate në raste të caktuara. Sidoqoftë, nuk ka asnjë trashëgimi dhe personi që ju kontakton nuk është avokat ose nëpunës ligjor, ai thjesht po krijon një terren për të arritur qëllimin e tij, pra të mashtrojë personin që po komunikon.  

 

Nëse ju i përgjigjeni mashtruesve, ata do t’ju kërkojnë të paguani tarifa të ndryshme, si për shembull: taksat, tarifat ligjore, tarifat bankare etj, në mënyrë që ata të mund të lirojnë trashëgiminë ekzistuese, me qëllim që ju ta zotëroni atë.

 

Sa herë që bëni një pagesë, mashtruesit do të nxjerrin arsye pas arsyeje se përse trashëgimia nuk mund të paguhet nëse ju nuk do të bëni një pagesë tjetër. Nëse kërkoni që këto pagesa të merren nga trashëgimia që ju po përfitoni, ata do t’ju japin gjithashtu arsye pse tarifat nuk mund të merren nga trashëgimia juaj dhe pse duhet të paguhen paraprakisht. 

 

Nëse hezitoni të paguani një tarifë ose deklaroni se nuk mund ta përballoni atë, mashtruesit do t’ju bëjnë presion duke ju kujtuar se sa afër jeni për të marrë një shumë parash shumë më të madhe se tarifat që keni dorëzuar tashmë, dhe nga sa keni paguar tashmë. 

 

Mashtruesit mund të kërkojnë gjithashtu detajet tuaja të bankës në mënyrë që ata të mund të paguajnë trashëgiminë direkt në llogarinë tuaj bankare. Por, nëse dorëzoni detajet e bankës tuaj, mashtruesit mund t’i përdorin ato për qëllime të tjera kriminale”, tha Kryekomisar Dr. Hergis Jica në një dalje për mediat.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *