Izrael – Hamas, nis armëpushimi/ Sot lirohen tre pengjet e para, shkëmbehen me të burgosur palestinezë

Armëpushimi i shumëpritur mes Izraelit dhe Hamasit pas 15 muajsh lufte rraskapitëse dhe shkatërruese në Lindjen e Mesme ka hyrë zyrtarisht në fuqi.
Zbatimi nisi menjëherë pasi Hamasi publikoi emrat e tre pengjeve të para që lirohen sot.
Mosdërgimi i emrave të tyre bëri që hyrja në fuqi e armëpushimit të vonohen për më shumë se dy orë, teksa Izraeli tha se do të vazhdojë luftimet derisa të kishte në duar listën e plotë, ashtu siç ishte paraparë në marrëveshjen e arritur më herët gjatë javës.
Megjithatë, me vonë Hamasi tha se mbetet i përkushtuar ndaj marrëveshjes dhe personat e parë që do të shkojnë në shtëpi sot pas 15 muajsh pengmarrje janë tre vajza të reja.
Një izraelite Doron Steinbrecher 31 vjec, dhe dy izraelite britanike Emily Damari 28 dhe Romi Gonen 24.

Dy prej tyre u rrëmbyen nga hamasi në një lagje në 7 tetor ndërsa e treta u mor nga Nova Festival. Të treja vajzat do të shkëmbehen me 50 palestinezë të burgosur secila, megjithatë ende nuk ka detaje se si do të bëhet lirimi i tyre apo nëse do të bëhet sot.
Marrëveshja e armëpushimit parasheh dhënien fund të luftës 15-mujore dhe lirimin e pothuajse 100 pengjeve. Në fazën e parë 42-ditore është paraparë të lirohen 33 pengje që mbahen në Gazë dhe qindra të burgosur palestinezë që mbahen në Izrael.
Pakti parasheh që Izraeli të tërhiqet në një zonë brenda Gazës dhe shumë palestinezëve të zhvendosur t’iu mundësohet kthimi në shtëpinë e tyre. Po ashtu, parashihet rritje e ndihmave humanitare për Gazën.
Ky është armëpushimi i dytë që hyn në fuqi që kur nisi lufta në tetorin e vitit 2023, pasi mbi një vit më parë palët kishin ndalur luftimet për një javë dhe gjatë asaj periudhe u liruan disa pengje.
/vizionplus.tv




