Raundi i tretë i votimit për presidentin e ri të Italisë dështoi të nxirrte një fitues të mërkurën. Partitë politike të qendrës së djathtë e të majtë, nuk janë ende pranë një marrëveshjeje për një kandidat që do të pranohej nga të gjitha palët.

 

Një kandidat zgjidhet president me dy të tretat e votave në tre raundet e para. Pragu ulet në raundet pasuese, ku fitues shpallet kandidati që merr shumicën absolute, ose 505 vota. Parlamenti ka në plan të zhvillojë çdo ditë një votim dhe gara pritet të bëhet më serioze të enjten, kur pragu për shpalljen e fituesit, do të bjerë.

 

Ashtu sikurse në dy raundet e para edhe të mërkurën, një numër i madh ligjvënësish e dorëzuan fletën e votimit bosh. Megjithatë, një numër në rritje vazhdojnë të shkruajnë emrin e kreut të shtetit në largim, Sergio Mattarella, i cili ka përjashtuar mundësinë e kandidimit për një mandat të dytë.

 

Kryeministri Mario Draghi shihet si një kandidaturë e mundshme për të fituar garën për president, por shqetësimet se zgjedhja e tij mund të shkaktojë shpërbërjen e koalicionit qeverisës duke e çuar vendin në zgjedhje të parakohshme, ka zbehur shanset e tij për t’u zgjedhur. Prej udhëheqësve kryesorë politikë, i vetmi që po mbështet publikisht kandidaturën e zoti Draghi për president është Enrico Letta i Partisë Demokratike të qendrës së majtë.

 

Presidenti ka një rol të fuqishëm dhe shërben për një mandat 7 vjeçar. Ai thotë fjalën e fundit në emërimin e kryeministrit dhe shpesh angazhohet për të zgjidhur krizat politike në vendin me ekonominë e tretë më të madhe të eurozonës, ku qeveritë arrijnë të mbijetojnë mesatarisht rreth një vit.

 

Në dy raundet e para të votimit shumica e 1,009 ligjvënësve e delegatëve rajonalë, e hodhën votën të zbrazët, si një mënyrë për të fituar kohë ndërsa negociatat mes partive politike vazhdojnë.

 

Kushtetuta italiane nuk parashikon shumë kufizime për sa i takon kandidatëve për president, duke lejuar kandidimin e çdokujt mbi 50 vjeç që gëzon të drejta civile ta bëjë një gjë të tillë. Në votime morën pjesë edhe ligjvënës që kanë rezultuar pozitivë për COVID-19. Qeveria u dha tyre një leje të posaçme dhe ata votuan në një parkim të parlamentit.

 

Të martën, blloku i qendrës së djathtë paraqiti tre kandidatë nga radhët e tij, një ish-kryetar të Senatit, një ish-kryetar bashkie të Milanos dhe një magjistrat në pension, por koalicioni i qendrës së majtë i hodhi poshtë të tre kandidaturat e bëri thirrje për bisedime të mëtejshme.

 

Nëse zoti Draghi nuk arrin të fitojë postin e kreut të shtetit, disa komentues sugjerojnë se ai mund të heqë dorë edhe nga detyra e kryeministrit, nëse koalicioni shumëpartiak që mbështet qeverinë e tij, do të përçahej lidhur me zgjedhjen e presidentit.

 

Mes emrave alternativë që qarkulluan në media për postin e kreut të shtetit janë ish-Kryetari i Dhomës së Ulët Pier Ferdinando Casini, ish-Kryeministri Giuliano Amato dhe kryetarja e Senatit Elisabetta Casellati, e cila favorizohet nga shumë prej kampit të djathtë./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *