Qeveria irlandeze ka rënë dakord të mbajë një referendum historik, për të vendosur nëse do të reformojë apo jo ligjet e rrepta të abortit.

 

Kryeministri i Irlandës, Leo Varadkar, njoftoi se referendumi do të mbahet në fund të majit, për të hequr ndalesën kushtetuese për abortet. Vendimi erdhi pas disa orësh debate në parlament mbrëmjen e së hënës.

 

Kështu votuesit në Irlandë, do të kenë mundësinë e parë në 35 vjet, për të përmirësuar disa prej rregullave më strikte të abortit në botë.

 

Irlanda, një vend me shumicë krishtere, ka ligjet më të rrepta në Evropë. Aborti është i ligjshëm vetëm në rastet kur jeta e nënës është në rrezik.

 

Mediat vendase shkruajnë se shumë gra udhëtojnë jashtë vendit ose përdorin tableta për t’i dhënë fund shtatzënisë së padëshiruar.

 

Qeveria ndërkohë, ka filluar hartimin e një legjislacioni i cili do të lejojë abortimin deri në javën e 12 të shtatzënisë.

 

Referendumi pritet gjithashtu të shkaktojë debate të ashpra pasi sipas sondazheve, gjysma e popullsisë janë pro abortit, dhe pjesa tjetër, është kundër ose e pavendosur për të votuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *