Pasi mori fatin në duar të gjyqtares Irena Gjoka Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani ka çelur hetim disiplinor për magjistraten për mosdeklarimin e një dënimi penal që është dhënë nga drejtësia greke në vitin 2005.
Ka qenë pikërisht ky institucion që ka njoftuar kallëzuesit e gjykatëses se ndaj saj po kryhen hetime.
Ky vendim erdhi tri javë pasi Këshilli i Lartë Gjyqësor refuzoi të verifikojë Irena Gjokën për fshehjen e dënimit që nga ana e prokurorisë së përgjithshme rezultoi se shkresa e dorëzuar për verifikim nga ana e PD ishte autentike. Dokumenti me vulë apustile sipas prokurorisë provon se Gjoka është dënuar për falsifikim të vizës në shtetin helen.
Prokurorise iu deshën 20 muaj që të kryente verifikimin e thelluar ndaj Irena Gjokës për pastërtinë e figurës së saj, ndonëse më herët ajo kishte kaluar me sukses procesin e vettingut, edhe në këtë kriter. Nga ana tjetër edhe Prokuroria e Posaçme, SPAK ka regjistruar procedim penal për veprën penale, “falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin penal në Greqi./vizionplus.tv





