I pandalshëm Brajan Gruda/ Shkodrani protagonist në fitoren 5-1 të Leipzigut, gol dhe asist në Bundesliga

Brajan Gruda po kalon një moment të jashtëzakonshëm në karrierën e tij. Futbollisti me origjinë shqiptare ka shkëlqyer këtë të shtunë në Bundesligë, duke qenë një nga protagonistët kryesorë të fitores spektakolare të RB Leipzig ndaj Union Berlinit me rezultatin 5-1.
22-vjeçari shkodran ka dhënë një kontribut të drejtpërdrejtë në dy gola të skuadrës së tij, duke regjistruar një asist dhe një gol në këtë përballje.
Fillimisht, Gruda u shfaq vendimtar në minutën e 50-të, kur asistoi për Rômulon, i cili riktheu Leipzigun në avantazh pas barazimit të vendasve në pjesën e parë.
Por shqiptari nuk u mjaftua me kaq. Në minutën e 72-të, pas një aksioni të shpejtë të miqve, Gruda përfitoi nga pasimi i Christopher Nkunku dhe me një goditje të saktë me të majtën dërgoi topin në rrjetë, duke realizuar golin e tretë për Leipzigun.
Ky ishte goli i parë i Grudës në Bundesligë për këtë sezon, ndërsa paraqitja e tij konfirmon formën fantastike që po kalon.
RB Leipzig shënoi edhe dy herë të tjera me Rocco Reitz dhe Ridle Baku, duke vulosur një fitore bindëse 5-1 në transfertë.
Gruda po kthehet gjithnjë e më shumë në një element të rëndësishëm për skuadrën gjermane. Me driblimet, kreativitetin dhe kontributin në fazën sulmuese, talenti me rrënjë shqiptare po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në futbollin europian.




