Një person u arrestuar dhe tre të tjerë u shpallën në kërkim si autore të dyshuar të vjedhjes së një sërë banesash por edhe të individeve në zonën e bregdetit të jugut.

 

Operacioni “Qeparoi” dokumentoi me prova ligjore një sërë vjedhjesh të ndodhura në fshatrat Qeparo, Shën Vasil, Nivicë dhe Dhërmi.

 

I vetmi i arrestuar për këto ngjarje është N. P., 42 vjeç, banues në Lushnjë.

 

Ndërohë janë shpallur në kërkim shtetasit A. S., 46 vjeç dhe A.(H.) N., 30 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe K. R., 36 vjeçe, banuese në Qeparo, Himarë.

 

Shtetasi N. P., në bashkëpunim me 3 shtetasit e tjerë të shpallur në kërkim, dyshohet se janë autorë të disa vjedhjeve, të cilat i kanë kryer në vende të ndryshme si banesa dhe ambiente të hapura, konkretisht:

 

Më datë 31.07.2020, në fshatin Shën Vasil, dyshohet se këta shtetas kanë vjedhur me thyerje banesën e braktisur të shtetasit L. Q., vend në të cilin është gjetur një armë zjarri kallashnikov, e cila dyshohet të jetë e autorëve të mësipërm, pasi këta shtetas e përdornin këtë banesë si vendstrehim gjatë kryerjes së vjedhjeve.

 

Më datë 07.09.2020, në Himarë, kanë vjedhur 2 motomjete në pronësi të shtetasve N. P. dhe T. P. Në të njëjtën ditë dyshohet se kanë vjedhur sendet personale të shtetasit maqedonas Z. T., në hotelin ku ai ishte akomoduar për pushime.

 

Gjithashtu, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer edhe 10 vjedhje të tjera, kryesisht sende personale të personave të ndryshëm në Dhërmi të Himarës, për të cilat po punohet për dokumentimin e plotë të tyre.

 

Policia ka sekuestruar disa nga sendet e vjedhura, si dhe sende që dyshohet se janë përdorur nga autorët për të kryer vjedhjet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *