Shefi i diplomacisë gjermane, ka qenë i drejtpërdrejt dhe i prerë me opozitën shqiptare: të ndërpresë menjëherë bojkotin dhe t’i rikthehet debatit në Parlament. Pas takimit me kryeministrin Edi Rama, ministri gjerman Sigma Gabriel, theksoi se interesi kombëtar duhet të dalë mbi atë personal.

 

“Ne apelojmë kthimin e opozitës në Parlament. Nëse opozita ka shqetësime për zgjedhje të lira e të ndershme, ka një mundësi për t’i pasur ato. Ne jemi gati t’i ndihmojmë, të sjellim më tepër vëzhgues, por për këtë duhet diskutuar në Parlament e jo në çadër. Nëse zgjedhjet bojkotohen, sigurisht për këtë nuk ka mirëkuptim tonë dhe nuk japim mbështetje. Politikanët duhet të marrin vendime duke kapërcyer interesat personale e të mbrojnë ato kombëtare. Interesi i qytetarëve është integrimi e kush bojkoton Parlamentin largon vendin nga BE. Kufijtë për politikanët i ofron Kushtetuta dhe ligjet. Parimi i demokracisë bazohet në faktin se ata që janë në pakicë të pranojnë shumicë, pasi ofrojnë shpresën se do kalojnë në shumicë. Prandaj duhet t’i qëndrojmë këtij parimi. Më lejoni të them se ky nuk është opinion im, por i qeverisë dhe kancelares gjermane Angela Merkel.”

 

Nga ana e tij, Kryeministri Rama vuri theksin tek domosdoshmëria e reformës në drejtësi, e cila përcakton të ardhmen europiane të vendit.

 

Më herët, ministri gjerman Gabriel, ofroi mesazhe të forta edhe pas takimit me ministrin e jashtëm Ditmir Bushati.

 

 “Askush në Europë besoj se nuk e kupton që parlamentarët e zgjedhur bojkotojnë Parlamentin. Në vendin tim, konsiderohet absurd bojkoti i Parlamentit dhe që deputetët e zgjedhur të mblidhen në çadër, nga ku kundërshtojnë Parlamentin, pjesë e të cilit janë zgjedhur për të qenë pjesë. Kjo është një rrethanë që ne nuk mund dhe nuk duam ta pranojmë. Është absurde dhe për shkak se pas pak javësh do të kemi zgjedhjet në Shqipëri dhe rasti më normal do të ishte që nëse deputetët nuk janë të kënaqur me atë çka realizon një qeveri ta anatemojnë këtë në kuadër të fushatës elektorale. Ajo që është e paimagjinueshme është që një pakicë nuk përpiqet të ndryshojë gjendjen përmes zgjedhjeve por bojkotit të parlamentit. Çfarë është më e rëndësishme, interesi i vendit dhe popullsisë, përfaqësimi i tyre apo interesat e partisë politike? Pikërisht këtu dallohen burrat dhe gratë e shtetit prej shumë atyre të tjerëve të angazhuar në politikë pikërisht përmes faktit se në qendër të vëmendjes së punës së tyre vendosin interesat e qytetarëve. Interesi i qytetarëve shqiptarë është shteti i së drejtës, vendosja e tij në qendër të vëmendjes dhe jo klikave e grupimeve më të vogla. Askush nuk e kupton përse para zgjedhjeve kërkohet Qeveri Teknike. Që opozita nuk e do qeverinë, kjo është normale, por në këtë pikë është e pakuptueshme. Qytetarët do të vendosin se kush do qeverisë.”

 

Pretendimet e opozitës për komplot nga ndërkombëtarët, Gabriel i konsideroi të pabaza.

 

“Kur vjen në rajon, ku shihet se nuk ka zgjidhje, shihen teoritë e komplotit. Kjo tregon se mungojnë argumentet konkrete. Ajo qe opozita po bën, konfirmon paragjykimet se kush bojkoton i bën dëm vendit. Këshilla ime është të ndërpresin bojkotin dhe të bëhen pjesë e zgjedhjeve.”

 

Ai bëri thirrje për zbatimin sa më parë të reformës në drejtësi, sidomos procesin e Vettingut, ku Gjermania ka investuar shumë.

 

“Lind përshtypja që ka një farë frikë lidhur me zbatimin e reformës në drejtësi dhe që në të ardhmen nuk do të mundin kësisoj të ndjekin interesat e tyre siç mund të ketë qenë rasti në të shkuarën. Për ne është mjaft e rëndësishme që mbi bazën e Kushtetutës dhe ligjeve të vlefshme të zbatohet reforma në sistemin e drejtësisë.”

 

Për ministrin Ditmir Bushati, reforma në drejtësi është kyçe për afrimin e Shqipërisë me BE-në dhe stabilitetit në rajon. Gjatë takimit mes dy ministrave të Jashtëm, u diskutua edhe mbi forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve dhe zbatimit të Procesit të Berlinit.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *