Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua me homologun e tij rus, Ministrin e Jashtëm Sergey Lavrov janë takuar për herë të parë që nga agresioni rus në Ukrainë. Lajmi bëhet i ditur nga një zyrtar Departamentit të Shtetit që udhëton me Blinken.

 

Nga detajet e para raportohet se biseda ka zgjatur rreth 10 minuta. Ende nuk dihet fokusi i bisedës mes dy zyrtarëve, por mediat ndërkombëtare raportojnë se Blinken i bëri thirrje Rusisë që të lirojë Paul Whelan dhe të rifillojë pjesëmarrjen në NEW START.

 

Ky takim vjen pas tërheqjes së Rusisë nga trakti për armët bërthamore dhe në një kohë ku tensionet Rusi-Ukrainë mbeten të larta.

 

CNN shkruan se ky takim ishte i paplanifikuar dhe sekretari Blinken ishte ai që iu afrua Lavrov në margjinat e takimit të ministrave të jashtëm të G20 në Nju Delhi.

 

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse Maria Zakharova konfirmoi se takimi u zhvillua.

 

Hera e fundit që Blinken dhe Lavrov u takuan personalisht ishte para pushtimit rus.

 

Më herët, Blinken tha se një takim i ministrave të financave të G20-ës ishte dëmtuar nga lufta në Ukrainë.

 

“Për fat të keq, ky takim është dëmtuar përsëri nga lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar e Rusisë kundër Ukrainës, fushata e qëllimshme e shkatërrimit kundër objektivave civile dhe sulmi i saj ndaj parimeve thelbësore të Kartës së OKB-së”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *