Në përmbyllje të takimit G7 në Londër, liderët janë dakordësuar për një qëndrim të unifikuar mbi Kinën që përfshin kryesisht investimet në infrastrukturë si një baraspeshë me “Rrugën e re të Mëndafshit”.

 

 

Plani infrastrukturor për vendet e varfra dhe ato në zhvillim u vendos me iniciativë të presidentit amerikan, Joe Biden. Një sërë vendesh, sidomos SHBA e shohin me sy kritik rritjen e vazhdueshme të influencës së Kinës dhe e akuzojnë se i përdor projektet në infrastrukturë, si mënyrë për të rritur influencën e saj gjeopolitike.

 

 

Presidenti amerikan kërkon më shumë distancim nga Kina dhe krahas planit infrastrukturor global kërkon edhe një pozicionim kundër punës së detyruar të pakicës ujgure.

 

 

Në përgjigje të këtyre zhvillimeve, Kina ka paralajmëruar udhëheqësit se ditët kur një grup i vogël vendesh vendosnin fatin e botës, janë zhdukur.

 

 

“Ne gjithmonë besojmë se vendet, të mëdha apo të vogla, të forta ose të dobëta, të varfra ose të pasura, janë të barabarta, dhe se çështjet botërore duhet të trajtohen përmes konsultimit  me të gjitha shtetet”, thuhet kështu në një reagim zyrtar.

 

 

Udhëheqësit e shtatë vendeve më të industrializuara në botë, gjithashtu kanë miratuar më shumë mbështetje financiare për vendet në zhvillim të goditura nga kriza e klimës dhe pandemisë. Por duket se nuk ka ende konsensus midis kombeve të G7 nëse Kina është një partner, një konkurrent apo një kërcënim i sigurisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *