Euro 2024 përveç lajmeve mbi futbollin, skuadrat, yjet dhe rezultatet e ndeshjeve ka prodhuar në disa raste edhe lajme dezinformuese, të cilat kanë patur për qëllim nxitjen e nacionalizmit.

Nga Taulant Halili

Vetëm dy ditë pas nises së kampionatit europian një përleshje mes tifozëve në Gelsenkirchen, u kthye në kryelajmin e mediave europiane, për shkak të futjes së nacionalizmit në “lojë”.

Një raportim i gabuar (ose i qëllimshëm, mbetet i pavërtetuar), fillimisht nga një faqe instagrami dhe më pas nga mediat gjermane se në sherrin e dhunshëm në Gelsenkirchen ishin përfshirë tifozët serbë dhe ata shqiptarë shkaktoi menjëherë zhurmë të madhe në të gjitha mediat e tjera, përfshirë ato britanike si dhe ato gjermane.

Madje në rrjet nuk mungoi as gjuha e urrejtjes ndaj shqiptarëve.

“Daily Mail” e niste shkrimin e saj se disa tifozë shqiptarë të nxitur nga urrejtja e tyre ndaj Serbisë ishin përleshur fizikisht me fqinjët e tyre ballkanikë, ku u desh ndërhyrja e policisë që situata të qetësohej.

Por vetëm pak orë më pas doli e vërteta se shqiptarët nuk kishin “gisht” fare në këtë sherr, dhe të vetmit të përfshirë në grindje ishin serbët dhe anglezët, të cilët do të ndesheshin me njëra-tjetrën mbrëmjen e 16 qershorit.


Ishte vetë media gjermane “BILD” e cila raportoi në fillim se në sherr ishin përfshirë shqiptarët dhe serbët, e cila doli me një lajm të dytë këtë herë, ku thoshte se identifikoheshin 11 personat e përfshirë në dhunën e ndodhur në Gelsenkirchen, dhe ata ishin serbë dhe anglezë.

Raportimi i mediave serbe

Por lajmi në mediat serbe ishte edhe më i bujshëm se thjeshtë sherr. Kurir, Katera.news. Novostni i mbushën faqet e parë të gazetave dhe mediave online se në Gelsenkirchen ishte dhunuar flamuri Serb nga shqiptarët.


“Disa huliganë shqiptar sulmuan tifozët serbë pasi donin të grisnin flamurin. Por ata hasën në qendresën e tifozëve serbë, dhe dy prej huliganëve përfunduan në spital”, shkruan Kurir.

I gjithë lajmi i Kurir ishte një dezinformim i pastër, pasi të gjithë ngjarjen përveç përleshjes së dhunshme, asnjë detaj tjetër nuk ishte i saktë, as tentativa për grisje flamuri dhe as përfshirja e të ashtuquajturëve huliganë shqiptarë në sherr.

Sipas lajmit të konfirmuar mbi ngjarjen që doli më pas nga gjermanja “Bild”, ngjarja nuk kishte lidhje me shqiptarët.

Shkrimi i Katera.news

Ndërkohë Katera news në shkrimin e saj i referohet në çdo moment Daily Mail dhe Bild, ku flet për dhunë të përgjakshme nga ana e tifozerisë shqiptare.

“Mbështetësit e ekipit shqiptar të futbollit kanë sulmuar tifozët serbë në kopshtin e një restoranti në Gelsenkirchen. Tifozët shqiptarë hodhën karrige, shishe dhe tavolina ndaj serbëve dhe më pas u shpërndanë para se të vinte policia”, shkruan Kateraneës.

Por ajo që vihet re në shkrimin e Kateraneës është që edhe kur në mediat britanike dhe gjermane flitet ndër rreshta edhe për tifozë britanikë të përfshirë në sherr, ka një tjetër tentativë për të vënë shqiptarët dhe nacionalizmin e fryrë në qendër të vëmendies.

Referuar Sky Sport në sherrin e dhunshëm kishte të përfshirë vetëm shqiptarë dhe serbë, nuk flitet në asnjë moment për anglezë.


Siç shihet në shembujt e përmendur më lart qëllimi kryesor ka qenë dezinformimi me anë të nacionalizmit, ku 3 janë simbolet kryesore të nxitjes së gjithë farsës “nacionaliste”, shqiptarët, serbët dhe flamuri.

Përplasjet historike mes fqinjëve ballkanikë janë parë si një rast i mirë për tu përdorur nga dashakeqësit, të cilët përmes lajmeve dezinformuese kishin si qëllim nxitje e konfliketeve përmes informacionit të rremë.

Thirrjet raciste të Dakut

Ndërkohë e vetmaj e vërtetë në media për frymën nacionaliste gjatë ktyre 2 javëve europian, janë thirrjet sulmuesit shqiptar Mirlind Daku kundër Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, thirrje ëpr të cilat ai u ndëshkua nga UEFA dhe ëhstë në pritje edhe të kulbit me të cilin luan.

Menjëherë pas barazimit me Kroacinë, Mirlind Daku vrapo drejt tifozëve dhe me megafon në dorë filloi të bërtiste me fjalë fyese në drejtim të Maqedonisë së Veriut por edhe Serbisë.

Pas këtij veprimi ishin të shumta kritikat, por edhe ndëshkimi. Ndonëse vetë futbollisti pati një reagim publik ku kërkoi ndjesë për ngjarjen, ndaj tij erdhën edhe masat ndëshkimore.

“Më vjen shumë keq nëse kam ofenduar dikë pas ndeshjes me Kroacinë, isha i pushtuar nga emocionet. Ju kërkoj shumë ndjesë”, ishin disa nga fjalët e Dakut pas reagimeve të shumta që erdhën par shkak të sjelljes së tij në fushë.

Fillimisht ishte klubi rus ku ai aktivizohet, të cilët njoftuan menjëherë se ndaj futbollistit do të kishte masa ndëshkimore në gjobë financiare. Ndërsa pak më vonë erdhi dhe reagimi i UEFA-s e cila e ndëshkoi Dakun për të mos luajtur në dy ndeshje.

Të shpresojmë që ditët e mbetura të këtij kampionati që sa vijnë dhe bëhen më të nxehta, të mos sjellin më frymë të shëmtuar dezinformimi përmes nacionalizmit. /Vizionplus.tv/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *