Duket se edhe politika e sanksioneve nuk ka funksionuar për Turqinë që të tërhiqet nga konflikti tashmë i përshkallëzuar në rajonin e Mesdheut. Ankaraja zyrtare thellon edhe më shumë përplasjet me Greqinë fqinje pas vendimit për të shtyrë deri më 12 shtator operacionet e kërkimit të naftës dhe gazit në zonat e diskutuara detare në Mesdheun Lindor. Presidenti Rexhep Erdogan deklaroi se Turqia nuk do të kufizohet në brigjet e saj, pasi është vendi me vijën më të gjatë bregdetare në rajonin e Mesdheut.

RECEP TAYIP ERDOGAN

PRESIDENT I TURQISE

“Turqia nuk do të lejojë piraterinë ose banditizmin në rajonet e Mesdheut dhe Egjeut. Greqia është përpjekur të kufizojë në mënyrë të paligjshme territorin tonë detar me pretendimin e ishujve të vegjël. Ne jemi të gatshëm për dialog të bazuar në ndarjen e drejtë.Por fqinji ynë është armatosur, duke shkelur traktatet e paqes.”

Ndërkohë ministria e jashtme greke në një deklaratë zyrtare nënvizon se Turqia vazhdon të përmbushë me besnikëri rolin e të trazirave dhe paqëndrueshmërisë në rajon, duke injoruar thirrjet për dialog.

“Greqia nuk do të shantazhohet. Duke u mbështetur ekskluzivisht në të drejtën ndërkombëtare, Ligjin e Detit dhe rregullat e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, ajo do të vazhdojë të kërkojë marrëveshje për caktimin e zonës detare me çdo vend në rajon“-thuhet më tej në deklaratën e ministrisë së Jashtme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *