E shtunë, 10 Tetor 2026 Lajmet e Fundit dhe Moti deri në 23:00 Në vijim ora 23:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 10 minuta më parë
Vendi

“Erdhën morën votat dhe na lanë në rrugë”, banorët e Maliqit ndihen të tradhtuar nga shkrirja e bashkisë: Fatkeqësi!

Vendimi i Parlamentit shqiptar për reformën territoriale, që parashikon bashkimin e Bashkisë së Maliqit me atë të Korçës, ka ngjallur pakënaqësi te banorët e kësaj zone.

Maliqi është një nga 15 bashkitë e vendit që preken nga reforma, ndërsa qytetarët shprehen të zhgënjyer nga vendimi, duke e konsideruar atë një tradhti ndaj votës së tyre.

Reklamë

Banorët thonë se bashkimi me Korçën do të vështirësojë marrjen e shërbimeve administrative, veçanërisht për banorët e fshatrave të largëta, të cilët do të duhet të përshkojnë distanca të konsiderueshme për të zgjidhur probleme që deri më tani i trajtonin pranë bashkisë së tyre.

“100% u tradhtuan. Tradhtia më e madhe që bëri parlamenti dhe deputetët e qarkut të Korçës. Jazëk u qoftë! Erdhën, morën votat, morën besimin e këtij populli dhe e lanë rrugës të tradhtuar. Maliqi mbaroi. Kjo është fatkeqësi. Ore, do shkosh në Korçë për një hall? Për Moglicën e Dusharin mos pyet më, të marrin pasaportën me vete, të hyjnë në ndonjë hotel të flenë, se problem brenda ditës nuk zgjidhin më.”

Reklamë

Të tjerë banorë shprehen se reforma do ta përkeqësojë më tej situatën, duke e bërë më të vështirë marrjen e shërbimeve për qytetarët që jetojnë larg qendrës së re administrative.

“Më keq. Ku do vejë nga Moglica në Korçë? Të marrësh një fletë, një shërbim? Më keq. Na tradhtuan, na tradhtuan.”

Shqetësimin e ndajnë edhe të moshuarit, për të cilët udhëtimi drejt Korçës për dokumente apo shërbime të zakonshme mund të kthehet në një barrë të rëndë ekonomike.

“A vete ky njeri në bashki për një kartë? Jam 72 vjeç. Bashkia nuk duhej prishur. Ngrihet ai nga andej e të shkojë në Korçë? Ka lekë? S’ka. Ne jemi qytet e s’kemi 5 lekë, jo më ai i fshatit.”

Bashkia e Maliqit administron më shumë se 80 fshatra dhe ka rreth 30 mijë banorë. Me shkrirjen e saj dhe bashkimin me Korçën, ajo bëhet bashkia me popullsinë më të madhe ndër njësitë vendore që preken nga reforma territoriale.

Për banorët e Maliqit, shqetësimi kryesor mbetet largësia nga qendra e re administrative dhe frika se ndryshimi i hartës territoriale do t’i largojë më shumë nga shërbimet, duke e bërë më të vështirë zgjidhjen e problemeve të përditshme.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.