
FAMILJA KUQEZI
Familja Kuqezi është një serial komik që përshkruan realitetin social, familjar dhe kulturor shqiptar dhe kryesisht është një serial që synon, përveç argëtimit, hulumtimin dhe trajtimin e problemeve që kalojnë të rinjtë shqiptarë dhe më tej familja shqiptare.
Në qendër të serialit sikurse e lë të kuptohet titulli është një familje me mbiemrin Kuqezi (ku theksi bie te shkronja E) dhe më konkretisht dy fëmijët e tyre Fatjoni 21 vjec dhe Dora 16 vjec me problemet e moshës që i shoqërojnë ata.
Prindërit e Fatjonit dhe Dorës i përkasin një shtrese të mesme, tipike shqiptare. Ata jetojnë në periferi në një shtëpi private, rrethuar nga komshinj dhe njerëz që sjellin në vëmendje problemet më thumbuese të realitetit tonë.
Parimi i serialit është që të rinjtë që ne trajtojmë si personazhe kryesorë (Dora dhe Fatjoni) janë të rinj model, jo në kuptimin që janë perfekte, por në atë se, pavarësisht problemeve që kanë ata mbeten pozitive dhe në natyrën e tyre mbizotëron morali, respekti reciprok dhe vlerat më të mira.
Në serial kemi patur parasysh mendësinë dhe realitetin social kulturor të hapësirës ku jetojmë. Karakteret dhe ngjarjet që zhvillohen në këtë serial janë krijime origjinale, por edhe të modifikuara nga jeta dhe histori të treguara.
Ngjarjet zhvillohen në hapësirën e shtëpisë. Kuzhinë, sallon oborr në kufirin ndarës të shtëpisë së Kuqezëve dhe komshinjve të tyre. Në oborrin e shkollës. Në të ndërhyjnë edhe personazhe episodikë.
Seriali synon të sjellë një humor të pastër dhe të angazhuar, mbështetur tek karakteret, situate, batuta dhe reagimet.
Secila seri trajton një ngjarje të re e cila lind zhvillohet dhe përfundon brenda serisë. Por gjithashtu seriali do ketë edhe një linjë vazhdimësie që lidh seritë me njëra-tjetrën.
Kjo jep mundësinë që të trajtohen një larmi temash dhe problematikash që afrojnë një gamë të gjerë shikuesish.
Gjatësia e secilës seri është 22-25 minuta.
Seritë do ndërtohen me dy linja paralele domethënë linjën A dhe B.
Personazhet
DORA KUQEZI – Vajza e vogël – Ester Alushi
Rreth 21 vjeç vajza e Bertit dhe Jetës. Shumë e pastër dhe e sinqertë. Edhte gjithashtu mjaft e mëncur për moshën që ka. Ka qejf një djalë të moshës së saj, por këtë nuk mund t’ia thotë askujt, përveç ditarit të saj elektronik. Ajo rregjistron të gjithë këtë “sekret”, çdo natë në celular. Shpeshherë ajo hyn në debat me të atin dhe vëllain e saj dhe i dominon intelektualisht ata. Ajo ka një bandë muzikore me tre shoqet e saj.
FATJON KUQEZI – Djali i madh – Erin Kujofsa
Rreth 22 vjeç djali tyre. Ka qënë në itali për studime, por nuk i ka mbaruar. Ka punuar disa kohë aty, por e kanë kthyer për shkak të dokumenteve. I ngjan të atit, priret drejt suksesit të shpejtë dhe ka bindjen që thellë-thellë është artist. Pika tij më e dobët është zelli. Nuk i shkon asnjë pune deri në fund.
ALBERT KUQEZI – Kryefamiljari – Genti Kame
Rreth 50 vjec babai i familjes. Ka një zyrë që e ka në ortakëri. Eshtë natyrë praktike, por nuk thellohet shumë. Përgjithësisht kërkon suksesin e shpejtë dhe kjo e çon në dështim. Nuk është shumë inteligjent dhe nuk e vë re që kolegu i tij i punës kërkon t’ja hedhë. Do të bëjë burrin e shtëpisë, por në fakt frenat e familjes i ka e shoqja.
BELA KUQEZI – Bashkëshortja e Albertit – Adelina Muça
Rreth 45 vjec e shoqja e Bertit. Mësuese. Eshtë e rregullt dhe ka ndjenjën e disiplinës. Në një farë mënyre është ajo busulla udhëheqëse e familjes. është e shkathët, ose siç i themi ndryshe “e ftilluar”. Ka një edukatë të admirueshme, por në momentet kur ajo është nervoze, është e mira të mos i dalësh përpara. Të tjerët ia njohin shumë mirë këtë anë të temperamentit të saj dhe i druhen.
EDUARD KUQEZI (EDI) – Vëllai i vogël i Bertit – Gent Hazizi
Rreth 40 vjec Vëllai i Bertit. është beqar dhe i adhuruar nga femrat. Ndonëse është i pandërgjegjshëm, deri në naivitet, për sukseset e tij. Ka vuajtur disa histori në jetë dhe ka një karakter gati infantil. Jeton me të ëmën në një shtëpi tjetër, por pjesën më të madhe të kohës e kalon te vëllai tij, Berti. Në shumë raste ai bëhet burim i situatave komike në këtë familje.
GERTA – Tezja e Fatjonit dhe Dorës– Alesia Xhemalaj
Ajo është shumë e zgjuar, me profesion IT dhe sapo ka mbaruar studimet ne Amerikë. Ajo ka patur një flirt me Edin, por kurrë nuk e kanë konsumuar dashurinë e tyre. Ajo për fëmijët është si shoqe.