Elon Musk shpenzon 366 milionë dollarë për të mbështetur republikanët për zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA!

Elon Musk ka shpenzuar rreth 366 milionë dollarë për të mbështetur republikanët në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, me synimin për t’i ndihmuar ata të ruajnë kontrollin e Kongresit. Megjithatë, pavarësisht financimit të konsiderueshëm, demokratët kanë përmirësuar shanset për të fituar shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe në Senat.
Sipas të dhënave financiare të fushatës, të raportuara nga The New York Times dhe të konfirmuara nga një zëdhënës i America PAC, Musk është ndër donatorët më të mëdhenj politikë të këtij cikli zgjedhor, i cili nisi më 1 janar 2025.
Nga shuma e përgjithshme, të paktën 276 milionë dollarë janë dhuruar që nga korriku për organizata republikane dhe komitete politike që mbështesin kandidatët e kësaj partie.
Miliona dollarë për Senatin dhe Dhomën e Përfaqësuesve
Pjesa më e madhe e financimit të raportuar ka shkuar për organizatat që synojnë të ruajnë shumicën republikane në Kongres.
Rreth 158 milionë dollarë janë dhuruar për Fondin e Lidershipit të Senatit (Senate Leadership Fund), një komitet politik që mbështet kandidatët republikanë për Senatin dhe që lidhet me udhëheqësin e shumicës në Senat, John Thune.
Ndërkohë, 20 milionë dollarë kanë shkuar për Fondin e Lidershipit të Kongresit (Congressional Leadership Fund), një komitet politik që mbështet republikanët në Dhomën e Përfaqësuesve dhe që lidhet me kryetarin e kësaj dhome, Mike Johnson.
Një tjetër shumë e konsiderueshme, 76 milionë dollarë, i është dhuruar America PAC, komitetit politik të lidhur me Musk, i cili mbështet kandidatët republikanë në shtatë shtete ku gara është e ngushtë, si dhe në më shumë se 30 gara për Dhomën e Përfaqësuesve.
Financime edhe për garën në Teksas
Mbështetja financiare e Musk shtrihet edhe në gara të veçanta elektorale. Rreth 10 milionë dollarë i janë dhuruar Lone Star Liberty PAC, e cila mbështet kandidaturën e prokurorit të përgjithshëm republikan të Teksasit, Ken Paxton, për Senatin amerikan.
Sipas sondazheve të fundit të përmendura në raportim, Paxton ndodhet në një garë të ngushtë me demokratin James Talarico.
Musk ka dhuruar gjithashtu 10 milionë dollarë për Shoqatën e Guvernatorëve Republikanë dhe 2 milionë dollarë për Shoqatën e Prokurorëve të Përgjithshëm Republikanë.
Përveç këtyre financimeve, sipas raportimit të The New York Times, manjati i teknologjisë ka kontribuar edhe për grupe që nuk janë të detyruara të bëjnë publikë donatorët e tyre.
Përplasjet politike dhe interesat e Musk
Për Musk, zgjedhjet e mesit të mandatit kanë rëndësi edhe përtej betejës partiake. Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve kanë kërkuar hetime mbi kontratat qeveritare të kompanisë hapësinore SpaceX, ku Musk mban postin e drejtorit ekzekutiv, si dhe mbi aktivitetin e tij në krye të Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë (DOGE) gjatë administratës së Presidentit Donald Trump.
Rezultati i zgjedhjeve do të përcaktojë nëse republikanët do të arrijnë të ruajnë kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit apo nëse demokratët do të fitojnë terren dhe do të marrin shumicën në njërën ose në të dyja.




