Policia e Shtetit nis kontrollet ajrore për monitorimin e zonave me risk të kultivimit të kanabisit. Krahas ndihmës të Guardia Di Finanza, policia do të ketë në dispozicion edhe dronët Bajraktar. Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se këto mjete do të përdoren me qëllim identifikimin e parcelave, veçanërisht në zonat më problematike si Malësitë e Shkodrës, Lezhës, Krujës.
“Përveç monitorimit nga ajri përmes bashkëpunimit të protokollit që kemi me Guardi di Finanza, këtë vit duke filluar nga java e ardhshme ne do të përdorim edhe dronët “Bajraktar”, të cilët do të bëjnë një monitorim sistematik të të gjithë territorit të Shqipërisë me një fokus luftën kundër kultivimit të lëndëve narkotike, kryesisht kanabis sativa”, tha Balla.
Sipas Ballës, dronët “Bajraktar” do të përdoren edhe për zbulimin e krimeve mjedisore apo kundër ndërtimeve pa leje.
“Fokusi i monitorimit të vendit me dronët “Bajraktar” do të jetë edhe kundër formave të tjera të krimit, përfshirë këtu krimet mjedisore. Përfshirë këtu bashkëpunimin mes Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, njësisë operacionale, e cila do të vendosë në përdorim dronët “Bajraktar” edhe me Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit për të luftuar fenomenin e ndërtimeve pa leje, apo formave të tjera të krimeve mjedisore”, u shpreh ministri.
Ministri i Brendshëm foli edhe për ndryshimet në Kodin Penal, duke thënë se masat për shkeljet në afërsi të shkollave do të ashpërsohen për të rritur nivelin sigurisë pranë institucioneve arsimore. /vizionplus.tv