Atletiko Madrid ka marrë një fitore mjaft të rëndësishme mbrëmjen e sotme përballë Barcelonës në “Camp Nou”, në sfidën e parë çerekfinale mes tyre në Champions League.
Blaugranët e nisën ndeshjen me ritëm mjaft të lartë, duke krijuar një mori rastesh, por pa mundur të shënojnë.
Ndërkohë që në minutat e fundit të pjesës së parë, “karma” këtë herë do të godiste Barcelonën, njëjtë siç ndodhi me Atletikon e Madridit pak ditë më parë, kur sërish ishin përballë njëra-tjetrës në një sfidë në kampionat.
Në të 44-ën, Cubarsí do të dilte me karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rëndë në afërsi të zonës dhe pikërisht ky ishte momenti që Alvarez, me një gjuajtje mjaft të bukur nga faulli, kaloi Atletikon në avantazh 1-0.
Në pjesën e dytë, edhe pse me një lojtar më pak, Barcelona u mundua të barazojë shifrat, por Sorloth në të 70-ën shënoi edhe golin e dytë për miqtë, duke i dhënë kështu një tjetër goditje Barcelonës, e cila do ta ketë shumë të vështirë për ta përmbysur sfidën një javë më vonë në “Wanda Metropolitana”.
Ndeshja u transmetua LIVE në televizionin kombëtar Vizion Plus, duke përcjellë emocionet e kësaj sfide te miliona shikues.
Ndërsa në sfidën tjetër, PSG mposhti pastër 2-0 Liverpool-in, duke hedhur një hap drejt gjysmëfinales, edhe pse “të kuqtë” do të tentojnë gjithçka javën e ardhshme.





