Subscribe

Plumbat e kallashnikovit përgjakën qendrën e Lushnjës mbrëmjen e së hënës. Një i vdekur dhe pesë të plagosur, ishte bilanci i një atentati mafioz, që terrorizoi njerëzit në Pedonalen e qytetit.

 

Një mjet i bardhë tip “Golf” pa targa, në të cilën ndodheshin dy persona të maskuar, njeri në timon dhe tjetri me arme në dore, u afruan pranë tavolinës ku po pinte kafe pronari i lokalit Bledar Muça 33 vjec, dhe kunati i tij Judmir Velo. Agresori qëlloi me breshëri nga dritarja e makinës, duke lënë të vdekur në vend Muçën. Por plumbat lanë të plagosur edhe pesë persona të tjerë që ndodheshin në lokal: Sara Cici, Eksara Cauli, Majlinda Gjyla, Ervis Tafa dhe Judin Velo. Ata morën plagë në pjesë të ndryshme të trupit, por janë jashtë rrezikut për jetën.

 

Në momentin e atentatit, rreth orës 22.00  zona ishte e mbipopulluar dhe breshëritë e kallashnikovit përfshinë një territor rreth 100 metra katror.

 

Policia bëri të ditur se shënjestër e sulmit me armë ishte pronari i bar “Pedonales”, Bledar Muça. Pas vrasjes, autorët e krimit u larguan drejt fshatit Thanasaj dhe poshtë urës së trenit të Rrogozhinës, pranë lumit Shkumbin, dogjën automjetin. Brenda tij u gjeten edhe 2 armë kallashnikov.

 

Për te zbardhur ngjarjen u shoqëruan në polici dhjetëra dëshmitarë, përfshirë edhe stafin e bar “Pedonales”, që shërbente në momentin e atentatit. Viktima Bledar Muça ka një skede të pastër penale dhe prej disa vitesh administronte lokalin në qendër të Lushnjës. Ai është dhëndër i Roland Shytit, i njohur më herët si ish-anëtar i bandës “Hakmarrja për Drejtësi” me pseudonimin “mustaqekuqi”.

 

Një nga pistat e hetimit është ajo e konflikteve financiare mes bizneseve në zonë.

 

Per kapjen e autorëve u ngritën postblloqe të shumta në hyrje dhe dalje të qytetit të Lushnjës.  Forca të shumta të policisë patrulluan përgjatë gjithë natës rrugët kryesore, duke kontrolluar çdo automjet te dyshuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *