“Bonesmashing”, trendi i frikshëm në Rusi, pse të rinjtë po godasin fytyrat me çekiçë

Një trend i rrezikshëm i njohur si “Bonesmashing” po përhapet sërish në komunitetet online të të rinjve në Rusi. Në rrjetet sociale po qarkullojnë video ku të rinj, kryesisht të moshës 15 deri në 26 vjeç, godasin fytyrën me objekte të rënda, si çekiçë apo pajisje masazhi, me synimin për të theksuar nofullën, mollëzat dhe mjekrën.
VIDEO- Të rinjë godasin fytyrën me çekiç
Sipas besimit të ndjekësve të kësaj praktike, goditjet shkaktojnë mikrofraktura në kockat e fytyrës, të cilat gjatë shërimit do të bëhen më të trasha dhe më të dukshme. Raportohet se mbi 100 persona kanë pësuar lëndime si pasojë e kësaj tendence.
Praktika mbështetet në një keqinterpretim të Ligjit të Wolff-it, një parim shkencor sipas të cilit kockat përshtaten me ngarkesat mekanike që përballojnë. Megjithatë, specialistët theksojnë se ky proces lidhet me ngarkesa fiziologjike dhe graduale, jo me goditje të forta që shkaktojnë trauma. Për këtë arsye, goditja e qëllimshme e fytyrës nuk është një mënyrë e sigurt apo e provuar për të ndryshuar tiparet.
Rreziqet janë të shumta dhe mund të përfshijnë fraktura, shërim të parregullt të kockave dhe deformime të përhershme të fytyrës. Dëmtimi i nervave mund të shkaktojë mpirje të vazhdueshme, dhimbje kronike apo humbje të pjesshme të funksioneve të muskujve të fytyrës.
Goditjet mund të shkaktojnë gjithashtu mavijosje të rënda, ënjtje, hematoma dhe infeksione të thella, përfshirë osteomielitin, një infeksion serioz të kockave. Veçanërisht të rrezikshme janë goditjet pranë nofullës, të cilat mund të dëmtojnë ose zhvendosin artikulacionin temporomandibular, duke shkaktuar dhimbje kronike, kërcitje gjatë lëvizjes ose vështirësi në hapjen e gojës.
Pavarësisht përhapjes së videove në internet, “Bonesmashing” nuk ofron përfitime të vërtetuara estetike dhe mund të shkaktojë dëmtime të pakthyeshme. Ekspertët paralajmërojnë se ndjekja e trendeve të tilla për të ndryshuar pamjen mund të ketë pasoja serioze për shëndetin.




