Aeroporti më i ngarkuar në botë, Hartsfield-Jackson International në Atlanta të SHBA, u përfshi nga kaosi, për shkak të një zjarri që shpërtheu në një kabinë elektrike të nëndheshme.

 

Udhëtarët u detyruan të evakuoheshin në një pjesë tjetër të aeroportit për shkak të tymit që u përhap. Ata u përpoqën të përdornin dritat e celularëve për të shmangur incidentet, ndërsa qindra policë u aktivizuan për të garantuar sigurinë e udhëtarëve të bllokuar.

 

Vetëm mëngjesin e kësaj të hëne sipas orës lokale, u njoftua anulimi i 300 fluturimeve, duke shkaktuar pakënaqësi tek qindra udhëtarë.

 

Kryetari i Bashkisë së Atlantës, Kasim Reed, gjatë një konference për shtyp, në prani të drejtuesve të aeroportit, kërkoi falje për vonesën.

 

“E para dhe më e rëndësishmja, unë jam këtu për të shprehur faljet e mia të sinqerta për mijëra pasagjerë, dita e të cilëve u ndërpre në këtë mënyrë. Ne e kuptojmë që ndërprerja ka shkaktuar frustrim dhe zemërim, por po bëjmë gjithçka që mundemi që njerëzit të shkojnë në destinacinet e tyre”.

 

Aeroporti Hartsfield-Jackson International në Atlanta zhvillon mesatarisht 2.500 fluturime, me rreth 275 mijë pasagjerë në një ditë, ndërsa defekti në sistemin elektrik solli dështimin e më shumë se 1000 fluturimeve. Mendohet se defekti mund të ketë një efekt të madh në të gjithë trafikun ajror, si brenda dhe jashtë SHBA për shkak të vonesave të linjave.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *