Subscribe

Me dhjetëra qytetarë shqiptarë kanë mbetur për orë të tëra në tokën neutrale mes Greqisë dhe Shqipërisë në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës. Kjo ka ndodhur prej mesnatës së mbrëmshme kur këta shtetas të cilët kanë ardhur nga Greqia, janë lejuar të kalojnë nga pala greke, e cila u ka vulosur dokumentat për të hyrë në vendin tonë.

 

Por në zbatim të aktit normativ i cili është në fuqi për shkak të situatës së shkaktuar nga COVID-19, pala shqiptare në Kapshticë nuk i ka lejuar të hyjnë në vend, duke i lënë të bllokuar në tokën neutrale. Burimet bëjnë të ditur se pala shqiptare në pikën e kalimit kufitar të Kapshticës, në zbatim të aktit normativ i cili është në fuqi për përballimin e situatës, i ka kërkuar palës greke që të mos lejojë shtetas shqiptarë dhe të huaj që të kalojnë kufirin për të ardhur në Shqipëri, por një gjë e tillë nuk është zbatuar nga pala greke e cila i ka lejuar këta qytetarë të hyjnë.

 

Nga ana tjetër për shkak të grumbullimit të shtetasve në tokën neutrale prej të paktën 12 orësh, një tjetër urdhër i ardhur nga Tirana e ka detyruar palën shqiptare të ndërmarrë të gjitha procedurat e nevojshme për lejimin e qytetarëve për të hyrë në tokën shqiptare, aty ku gjenden edhe familjarët e tyre të cilët kanë ardhur për t’i transportuar drejt banesave të tyre, ku edhe do të vetëkarantinohen për një periudhë 14 ditore.

 

Burime të siguruara nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit në Korçë bëjnë të ditur se nga dita e nesërme nuk do të lejohet më asnjë shqiptar apo i huaj të hyjë në tokën shqiptare nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës. Prej mbylljes së kufijve për shkak të koronavirusit çdo ditë nga pika e kalimit kufitar të Kapshticës kanë hyrë nga 70-100 shtetas çdo ditë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *