Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ditën e sotme ka zhvilluar një takim me studentë të Mjekësisë.
Berisha, gjatë fjalës së tij tha se “shëndetësia në Shqipëri ka degraduar në shumë aspekte”.
Berisha: Sot ne kemi mjekë 4 herë më pak se mesatarja e BE. Në vitin 2013 ne kishim një mjek për 600 banorë, sot kemi një mjek për 1100 banorë. BE ka një mjek për 300-350 banorë. Por po të ndalemi në aspekte të tjera, spitali i Kukësit, i ndërtuar me paratë e taksapaguesve, spitali i ri 3 milionë euro, pa mjek. Për t’u operuar për apandesit ka një mjek humanist që ka lënë numrin e tij, një kirurg që vjen dhe operon në spitalin e Kukësit përkundrejt një pagese sigurisht. Kurse, spitalet e tjera janë me mungesa të jashtëzakonshme specialistësh.
Sipas Berishës, shëndetësia ka marrë goditjen më të madhe përgjatë 4 viteve të fundit.
Berisha: Eksodi i mjekëve u bë masiv. Projekti ynë i Shqipërisë Madhështore parashikon një transformim tërësor të arsimit dhe të shëndetësisë. Së pari, nuk ka udhëtim drejt Europës me standardet më të ulëta, me standarde të 65 viteve më parë, të numrit të mjekëve për popullatën.
Berisha premtoi dyfishim të buxhetit për shëndetësinë dhe arsimin.
Berisha: Ne do dyfishojmë buxhetin për shëndetësinë, do dyfishojmë buxhetin për arsimin. Nuk do ketë mjek apo infermier në spitale në qoftë se nuk i paguan ata shumë, shumë mirë. Kështu që ne zotohemi të dyfishojmë rrogat për mjekët dhe infermierët. Do vendosim një rrogë minimale 1500 euro për mësuesit me qëllimin që ata të ndjehen në funksion të misionit të madh që kanë.
Në fund të fjalës së tij, Berisha se nëse PD vjen në pushtet më 11 maj, do të hapin një fakultet të dytë mjekësor dhe do përpiqen që të rrisin pranimet në këto dy universitete “në mënyrë që t’i japin përgjigje vakumit me pasoja të rënda për shëndetin e shoqërisë”./vizionplus.tv