“Gjykata Kushtetuese është një seksion i një organizate partie të PS-së”, tha ish-kryeministri i vendit Sali Berisha nga SPAK ku ka detyrimin te paraqitet dy here ne muaj. Sipas tij vendimi ishte i vonuar.
“Atë çështje Gjykata Kushtetuese e trajtoi pas 8 muajve paraqitje. Në një kohë kur çdo çështje që ka të bëjë me qeveritarët e trajton brenda 2-3 javëve. Ai vendim ka pasoja edhe sot. Pra, nuk e shfuqizoi duke pretenduar se nuk është më në fuqi, por në fuqi janë pasojat e tij. Dhe vendimi në çdo doktrinë, përveç në atë të partisë së krimit, vendimi duhej shfuqizuar. Pasoja e atij vendimi është fakti që unë jam sot këtu para jush. Kjo është një nga pasojat”, tha Berisha.
Nga ana tjetër ai komentoi kërkesën e mbrojtjes së tij në gjyq, për të thirrur kryeministrin Edi Rama si dëshmitar për procesin e Partizanit.
“I ka bërë një dëm shtetit prej 320 mijë eurosh, Edi Rama. Unë uroj që gjykatësit ta thërrasin në sallën e gjyqit, dhe po të kenë guximin ta shpallin të pandehur në sallën e gjyqit, të shpallin atë që meriton. Por mesa duket Lubia po e merr me vet”, tha kreu i PD.
Sali Berisha dhe Jamarbër Malltezi, dhëndrri i tij në bashkëpunim edhe me dy biznesmenë, e një notere dyshohen se kanë kryer korrupsion.
Nga ana tjetër dhëndri akuzohet se ka kryer edhe pastrim parash si pasojë e privatizmit të trojeve të ish- kompleksit sportiv Partizani.
SPAK thotë se kjo vendimmarrje i atribuohet Sali Berishës kur ishte kryministër i vendit.





