E enjte, 26 Nëntor 2026 Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Breaking përditësuar 2 orë më parë
Politikë

Begaj viziton Strugën, pritet nga kryetari i Komunës

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, në kuadër të pjesëmarrjes në Samitin e Procesit të Brdo-Brijun-it në Ohër, zhvilloi sot një vizitë në Strugë, ku u prit nga kryetari i Komunës, Mendi Qyra, këshilltarët bashkiakë, përfaqësues të të gjitha forcave politike dhe qytetarë të Strugës, me të cilët bisedoi për zhvillimin e qytetit, ruajtjen e trashëgimisë kulturore dhe forcimin e rolit të shqiptarëve.

Gjatë vizitës, Presidenti Begaj u njoh nga afër me zhvillimin e qytetit dhe vlerësoi përpjekjet e drejtuesve të Komunës për promovimin e Strugës si një destinacion me vlera të veçanta historike, kulturore dhe turistike.

Presidenti Begaj vlerësoi angazhimin e drejtuesve të Komunës së Strugës për zhvillimin ekonomik e turistik, përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe promovimin e vlerave të qytetit, duke nënvizuar rëndësinë e trashëgimisë kulturore dhe të arsimit si pasuri që duhen ruajtur e përcjellë te brezat e ardhshëm si edhe bashkëpunimin me bashkitë kufitare për projekte që mund të nxisin turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Komunës së Strugës.

Në këtë kuadër, Presidenti Begaj vizitoi Urën e Drurit “Naser Hani” mbi lumin Drini i Zi, një simbol bashkimi, si dhe fshatin Livadhi, ku u njoh me historinë e vendbanimit, nderoi kujtimin e betejës Gjergj Kastriotit në Livadhi dhe vizitoi muzeun, dëshmi e pasurisë historike, etnografike dhe kulturore të zonës.

Një ndalesë  të veçantë ai zhvilloi  në shkollën fillore komunale “Aki Dika”, e cila prej dekadash kontribuon në arsimimin e brezave në gjuhën shqipe. Presidenti përgëzoi komunitetin dhe mësuesit për mbështetjen e vazhdueshme ndaj shkollës, duke e vlerësuar këtë angazhim si një model të ruajtjes së identitetit tonë.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.