“BE do të zgjerohet”, Marta Kos: 2027-ta mund të jetë viti i Shqipërisë

Komisionerja për Zgjerim në Bashkimin Evropian, Marta Kos, gjatë fjalës së saj në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, ftoi investitorët të investojnë në vendet e rajonit.
Ajo tha se aktualisht dy vende të Ballkanit Perëndimor janë pranë anëtarësimit në BE. Sipas Kos, Mali i Zi mund të nënshkruajë vitin e ardhshëm marrëveshjen e anëtarësimit në BE, ndërsa viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse vijon të qëndrojë në të njëjtën rrugë për reformat në vend.
“Ky moment është një moment i mirë për të zgjedhur Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë në BE, BE-ja po përgatitet të presë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara janë në Ballkanin Perëndimor. Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave, Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse Shqipëria qëndron në rrugën e duhur të reformave në drejtësi dhe në atë zgjedhore”, tha Kos.




