Banka Botërore ka pranuar se fiskalizimi mund të rrisë barrën administrative të punës duke pasur parasysh volumin e madh të të dhënave që do të sjellë ndërkohë që kjo reformë duhet të shoqërohet me ulje të kostos për bizneset.

 

Në memorandumin e fundit të Bankës me Shqipërinë dhe fiskalizimi vjen si pjesë e analizës teksa shpjegohet situata e përgjithshme e lidhur me të ardhurat dhe konkretisht në pikën për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.

 

“Ka një hendek të madh të lidhur me pajtueshmërinë e TVSH-së në Shqipëri. Nën-raportimi i të ardhurave është i zakonshëm në vend, veçanërisht në tregti, ndërtimi dhe tek shërbimet. Që nga viti 2015, qeveria është mbështetur në fushata kundër informalitetit, të cilat me kalimin e kohës janë bërë më të sofistikuara dhe kanë synuar disa sektorë me rrezik të lartë, me rezultate pozitive. Fiskalizimi (d.m.th., miratimi i ligjeve fiskale për të luftuar informalitetin në sektorin e shitjes me pakicë), i cili filloi në vitin 2021, sipas qeverisë pritet të përmirësojë disponueshmërinë e informacionit në kohë reale rreth aktivitetit ekonomik dhe përmirësimin e mbledhjes së TVSH-së me rreth 10-15 për qind kur zbatohet plotësisht.

 

Megjithatë, fiskalizimi do të rriste barrën administrative të punës me vëllime kaq të mëdha të dhënash nëse nuk shoqërohet me thjeshtim dhe ulje të kostos së zbatueshmërisë (kosto që kompanitë apo biznesi duhet të paguajë që të përshtatet me kërkesat e qeverisë) Përgjigjet e politikave duhet të marrin në konsideratë risqe të ndryshme në secilën industri dhe t’i japin përparësi sektorëve ku rreziku është thelbësor, si ndërtimi (p.sh., duke futur tarifë të kundërt për të parandaluar humbjet tatimore në zinxhirin e furnizimit të nënkontraktorit), shërbime profesionale dhe tregti” thuhet në dokument.

 

I njëjti nënvizon se ka ende vend për të parë hapësirat e taksimit të lidhura këto me taksën e pronës por edhe mjedisin. Për të parën Banka Botërore nënvizon se krijimi i një kadastre të plotë me të dhënat për çdo pronë në vend është një mundësi për të zgjeruar të ardhurat nga ky zë më një shtesë prej 0.3-0.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Edhe njësitë vendore mund të rishikojë nivelet e taksave lokale për mbledhjen e të ardhurave përmes kombinimit të tarifave më të larta.

 

Ecuria e fiskalizimit

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve raportoi se deri fund të janarit 2022 certifikata elektronike, e cila ngarkohet në portalin SelfCare është tërhequr nga 77% e tatimpaguesve.

 

Ndërkohë deri në atë kohë 57% e totalit të bizneseve lëshonin fatura të fiskalizuara.

 

Në fund të muajit dhjetor 2021, qeveria miratoi ndryshimet e Aktit Normativ për heqjen e penaliteteve vetëm për biznesin e vogël deri më 30 qershor 2022. Periudha pa gjoba do të zbatohet deri në fund të qershorit 2022 edhe për ndërmarrjet që ofrojnë furnizimin me ujë për konsumatorët finalë, si dhe tregu i rregulluar i energjisë elektrike; bankat apo institucionet financiare për njoftimin e pagesave të e-Faturave të lëshuara nga subjektet tatimpaguese.

 

Faza I e fiskalizimit nisi zbatimin më 1 janar 2021 për transaksionet pa para në dorë mes sipërmarrjeve dhe enteve publike.

Faza II, që nisi më 1 korrik, përfshiu në procesin e ri të faturimit, transaksionin pa para në dorë mes bizneseve.

 

Në fazën përfundimtare, që konsiderohet dhe më delikatja, u përfshinë 90,000 biznese të vogla për shitjet me para në dorë. Deri në fund të vitit u realizua gjysma e procesit.

 

Në fillim të vitit tatimet informuan se tatimpaguesit me TVSH dorëzimin e deklaratës së TVSH-së librave të shitjes dhe blerjes për periudhën deri në Qershor 2022, do të vijojnë ta kryejnë nëpërmjet llogarisë së deklarimit elektronik në e-filing./Monitor

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *