Kreu i demokratëve, Lulzim Basha ka zhvilluar këtë të enjte një takim në zyrën e tij me drejtuesit e sektorit të agrobiznesit.

Nëpërmjet një postimi në “Facebook”, lideri i PD-së shprejet se përfaqësuesit e 37 shoqatave kombëtare dhe rajonale janë të shqetësuar për situatën aktuale, pasi sipas tyre prodhuesit nuk arrijnë të shesin prodhimet dhe po konkurrohen nga produktet e importit. Këto të fundit vijnë të subvencionuara në vendet e origjinës.

 “Sot prita presidentin e Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar Agim Rrapaj dhe drejtoreshën ekzekutive Enisa Shena të cilët më paraqitën sot me shifra dhe detaje situatën e vështirë të sektorit të zinxhirit ushqimor që për shkak të pandemisë dhe rrezikun e kolapsit të këtij sektori që nuk ka patur as vëmendje dhe as mbështetje nga qeveria. Përfaqësuesit e 37 shoqatave kombëtare dhe rajonale, drejtues të Këshillit të Agrobiznesit, janë të shqetësuar për situatën aktuale pasi prodhuesit nuk arrijnë të shesin prodhimet dhe po konkurrohen nga produktet e importit të cilat vijnë të subvencionuara në vendet e origjinës. Ekonomia shqiptare është në kolaps, masat e qeverisë janë kaotike dhe ndihma ekonomike që është e pandjeshme për qytetarët dhe biznesin, për bujqësinë nuk ekziston as si premtim.”

Basha theksoi se me përfaqësuesit e KASH-së kanë ndarë dhe 3 prioritete urgjente për përballimin e krizës.

“1- Barazimin e TVSH-së për të ndihmuar prodhimin vendas dhe fermerët që kanë pësuar goditje nga pandemia duke ndihmuar të gjithë zinxhirin e prodhimit agro-ushqimor i vendit.
2 – Përfshirjen e institucioneve të mikrokredisë në skemën e garancisë sovrane që qeveria shqiptare ofron për bankat e nivelit të dytë. Sektori i mikrokreditit është jetik për të siguruar likuiditetin në sektorin agrobujqësor. Sot ky likuiditet mungon duke rrezikuar prodhimin.
3 – Qeveria shqiptare nëpërmjet AZHBR-së dhe institucioneve të tjera duhet të rrisë ndjeshëm financimin me grante për të gjithë fermerët shqiptarë të cilët kanë pësuar humbje nga situata e pandemisë COVID-19.”

Ai i bën thirrje qeverisë që ta ndihmojë biznesin  dhe bujqësinë me vepra dhe jo fjalë boshe.

“Sot, shqiptarët po rrënohen ekonomikisht çdo ditë e më shumë. Çdo biznes, përfshirë dhe bujqësinë kane nevojë për ndihmë dhe jo fjalë boshe. Me mënyrën si po e menaxhon kjo qeveri situatën, pandemia shëndetësore COVID-19 po shndërrohet në pandeminë ekonomike 2020”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *