Sekretari i Përgjithshëm I PD, Gazment Bardhi i ka cilësuar si qesharake akuzat e bëra nga prokuroria në drejtim të liderit opozitar Lulzim Basha.

 

Në një postim në “Facebook”, Basha shprehet se prokurorët janë përdorur nga kryeministri Edi Rama me qëllim që të hiqet vëmendja nga skandalet e qeverisë të bëra publike.

 

Sipas Bardhit, qeveria ka marrë fund dhe po përpiqet që të bëjë budallenj shqiptarët.

 

“Akuza politike dhe qesharake, kundër Kryetarit të Opozitës dhe dy kolegëve të Partisë Demokratike z. Ristani dhe z. Dervishi, është përdorur nga prokurorët e tij të korruptuar, sa herë shefi i tyre politik Edi Rama ka patur një hall të madh dhe ka qenë e nevojshme shfokusimi i vëmendjes së qytetarëve nga skandalet e Kryeministrit të Avdylajve.

Të gjithë mbajnë mend se:

  • Çështjen e nisën në kohën kur kërkohej arrestimi i Saimir Tahirit për trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike dhe Edi Rama pengonte prokurorinë të bënte detyrën, derisa e vuri atë nën kontroll të plotë.
  • Çështjen e sollën në vëmendje kur doli në publik skandali i vëllait të Fatmir Xhafës, akuzuar po ashtu si trafikant ndërkombëtar droge, dhe u provua se Qeveria kishte manipuluar hetimet.
  • Çështjen e risollën në vëmendje të opinionit publik, deri me deklarata të paprecedenta të prokurorisë, kur u provua bashkëpunimi i Vangjush Dakos për të blerë votat me një trafikant ndërkombëtar droge.
  • Çështjen e rihedhin për konsum publik edhe tani, kur Edi Rama është faktuar se është organizatori i skemës së bashkëpunimit të Partisë Socialiste me krimin e organizuar.

Shqiptarët nuk janë budallenj, edhe pse 4 prokurorë të korruptuar, bashkë me urdhëruesin politik të tyre Edi Rama, i kujtojnë për të tillë! Budallenjtë e vetëm janë këta që nuk kanë kuptuar ende që kanë marrë fund, dhe detyrohen të bëjnë veprime të dëshpëruara. Udhë e mbarë drejt humnerës që ju pret!”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *