E enjte, 29 Tetor 2026 Det i Trazuar deri në 15:00 Në vijim ora 15:00: Lajme Ora 15:00 dhe Moti Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Politikë

“Balluku deputetja më e mirë”, Balla: Agjenda e integrimit nuk ndalet nga flakadanët në Kuvend

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka folur për mediat pas përfundimit të seancës plenare, duke komentuar mungesat e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku në seancat parlamentare dhe paraqitjen e saj në Kuvend kryesisht për votimet që kërkojnë shumicë të cilësuar.

I pyetur pse Balluku paraqitet në Kuvend vetëm për votime, si në rastin e ndryshimeve territoriale apo edhe në seancën e sotme, Balla deklaroi se grupi parlamentar socialist përbëhet nga 82 deputetë, të cilët mbështesin reformat e qeverisë.

Reklamë

“Grupi Parlamentar i PS përbëhet nga 82 anëtarë dhe të gjithë janë gjithmonë aty për të votuar dhe për të mbështetur këto reforma, sepse kontrata e PS është kontratë me Shqipërinë. Në mes të ditës, në orën e përcaktuar, gjithmonë aty. Sa i përket prezencës në zonën zgjedhore është ndër deputetet më të mira të PS-së. Nesër ora 17:00 prania besnike në Fier, mund të shkosh aty e ta shikosh”, u përgjigj Balla.

Balla u ndal te miratimi i ligjeve që lidhen me procesin e integrimit evropian, si dhe te projektbuxheti dhe paketa fiskale. Ai përmendi gjithashtu uljen e TVSH-së për ushqimet në 6%, heqjen e taksës së qarkullimit nga karburanti dhe rritjen e pensioneve, duke i bërë thirrje opozitës që të mbështesë këto masa.

Reklamë

“Kemi miratuar 9 ligje që lidhen me agjendën tonë të negociatave, njëri kërkonte dhe shumicë të cilësuar. Përveç bilbilave, flakadanëve dhe zhurmës dhe dhunës, agjenda ndërkombëtare nuk ndërpritet. Sot u miratua dhe kalendari i shqyrtimit të buxhetit. Sot shqiptarët kanë marrë lajmin e mirë për buxhetin me karakter social. Edhe paketa fiskale, me lajme po aq të mira, siç është dhe ulja e TVSH për ushqimet, me 6%. Heqja e taksës së qarkullimit nga karburanti, është lajm i mirë. Edhe opozita duhet të votojë pro rritjes dhe dyfishimit të pensionit. Grupi parlamentar i PS përbëhet nga 82 anëtarë dhe ata janë gjithmonë aty për të votuar. Kontrata e tyre është me PS dhe me Shqipërinë. Më lejoni të them që sa i preket prezencës në zonën zgjedhore, është ndër deputetet më të mira të PS. Të ftoj nesër ora 17:00 “Prania besnike” në Fier, të shkosh atje ta shohësh.”, tha Balla.

I pyetur për debatin mes Toni Gogut dhe Bledi Çuçit, lidhur me transferimin e ERvion Veliajt nga paraburgimi i Durrësit në atë të Fierit, Balla u shpreh se diskutimet e zhvilluara në mbledhjet e grupit parlamentar janë çështje të brendshme të Partisë Socialiste dhe nuk kanë të bëjnë me publikun.

“Në çdo mbledhje të grupit të PS, çdo deputet kërkohet prej meje që të çohet dhe të ngrejë tematika dhe problematika. Janë tematika dhe shqetësime të grupit të PS dhe jo për publikun.”, pohoi ai.

Balla u pyet për transferimin e Erion Veliajt, duke deklaruar se ankesat që i janë përcjellë në cilësinë e deputetit ua ka kaluar institucioneve përkatëse për shqyrtim. Ai theksoi se çështja duhet të verifikohet nga autoritetet përgjegjëse dhe të trajtohet në përputhje me standardet e kërkuara në kuadër të integrimit evropian.

“Jo për shokun tim Erion Veliaj, por për këdo tjetër, kushdo që më ka dërguar si deputet një ankesë, padyshim që ja kam kaluar ministrave të Drejtësisë. Rasti në fjalë nuk lidhet me ministrin Gogu. Edhe nga ish-Presidenti Ilir Meta kam marrë ankesa. Do verifikohet jo vetëm nga Avokati i Popullit e ministri i Drejtësisë. I kam kërkuar Komisionit të Mbikëqyrjes, në kuadër të punës që ka, të mbikëqyrë këtë çështje. Kam besim që edhe çështja në fjalë do të duhet të trajtohet në kuadër të procesit të integrimit në BE, ku duhet të plotësohen të gjitha kriteret që lidhen me trajtimin e të paraburgosurve”, tha mes të tjerash Balla.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.