Avokatët ende në bojkot dhe pse Apeli Administrativ e pezulloi, shtyhet gjyqi për Metën e Kryemadhin

Në Gjykatën e Posaçme, pavarësisht vendimit të Apelit Administrativ, avokatët nuk pranuan të marrin pjesë në proces.
Sipas tyre, ata nuk kanë marrë dijeni, sipas rrugëve ligjore, për pezullimin e bojkotit nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë.
Ilir Meta:
Fakti që mungon prokurori Kllapi nuk është shenjë e mirë. Nuk më duket e arsyeshme që e nisni gjyqin nga avokatët dhe jo nga unë, si i pandehur kryesor.
Profesioni i avokatit varet thelbësisht nga DHKA-ja. Nuk është çështje mungese vullneti, por avokati im nuk mund të rrezikojë licencën. Duhej të ishte zgjidhur më herët ngërçi, pas gati 600 proceseve gjyqësore të bllokuara.
Kërkojmë që, për shkaqe dhe arsye objektive, të mbrohem vetë. Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut i ka pranuar raste të tilla.
Monika Kryemadhi:
Mendoj se bojkoti është shpërdorim i profesionit të avokatit. Kërkoj të vazhdojmë seancën, sikundër ramë dakord radhën e kaluar.
Arben Kraja:
Mungesa e njërit prokuror nuk është arsye për shkelje. Akuzat janë shumë të rënda dhe kërkojnë praninë e një avokati.
Monika Kryemadhi:
Nuk u dhimbsen më shumë se neve akuzat tona prokurorëve. Ju keni bërë shkelje që nga ana e marrjes së provës, hyrja në shtëpi, kontrollet. Kjo që thotë prokurori është hipokrizi.
Ilir Meta:
Mendoj se profecia ime doli si atëherë kur paralajmërova tërmetin. Ndaj meje s’ka asnjë akuzë, se po të kishte, do e kishit mbushur me kamera këtu. Po keni marrë kallëzimin e Romeo Karajt për bazë dhe shqetësohesh ti për mbrojtjen?
Kërkoj të vazhdojë seanca, të merret parasysh vendimi i kaluar.
Tashmë, Gjykata e Posaçme është tërhequr për vendim nëse seanca do të vazhdojë pa avokatët apo jo.




