E martë, 13 Tetor 2026 Trashëgimtari Halef deri në 13:00 Në vijim ora 13:00: Trazira në Parajsë Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Politikë

Balla pas Konferencës së Kryetarëve: PD të reflektojë deri të enjten, mbështesim votimin elektronik

Pas përfundimit të mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka komentuar qëndrimin e opozitës për Reformën Territoriale, duke deklaruar se mandati i Komisionit të Posaçëm ka përfunduar dhe se kërkesa për zgjatjen e tij nuk është paraqitur në afatin e duhur.

Balla tha se gjatë mbledhjes, përfaqësuesit e Partisë Demokratike kanë paraqitur qëndrimin e grupit të tyre, por sipas tij, ai nuk ishte i qartë. Socialisti shprehu shpresën që opozita të reflektojë deri të enjten.

Reklamë

“Parashtroi mendimin e grupit të PD-së, të cilin nuk e kuptova. Shpresoj që deri të enjten të ketë reflektim”, u shpreh Balla.

Ai argumentoi se kërkesa për zgjatjen e mandatit të komisionit nuk është paraqitur në kohën e duhur dhe se nuk ka pasur vullnet të përbashkët mes bashkëkryetarëve të tij.

Reklamë

“Kërkesa nuk u parashtrua në afatin e duhur, nuk erdhi vullnet i përbashkët i bashkëkryetarëve të komisionit. Ai komision përfundoi”, deklaroi Balla.

Duke u ndalur te puna e Komisionit të Posaçëm, Balla kujtoi se palët politike kishin paraqitur propozime të ndryshme për ndarjen administrative të vendit. Sipas tij, deputetët e Partisë Socialiste propozuan një hartë me 46 bashki, ndërsa opozita një ndarje me 100 bashki.

Ai tha se në vijim të procesit, diskutimet u përqendruan te katër shtylla kryesore: kuadri ligjor i vetëqeverisjes vendore, transferimi i funksioneve nga qeveria qendrore te bashkitë, financat vendore dhe organizimi në nivel rajonal.

Sa i përket organizimit rajonal, ai solli në vëmendje ligjin për rajonet, të miratuar në vitin 2020, si dhe shërbimet që organizohen në këtë nivel, duke përmendur sistemin shëndetësor dhe zyrat arsimore.

I pyetur për mundësinë që çështja të dërgohet në Gjykatën Kushtetuese, Balla u shpreh se është i bindur që procedura e ndjekur nga Kuvendi është në përputhje me Kushtetutën.

Ai kujtoi gjithashtu se Gjykata Kushtetuese është shprehur më herët, në vitin 2014, për kriteret që duhet të përmbushë një reformë e tillë në raport me Kushtetutën.

Balla tha se opozita ka të drejtë t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese nëse e konsideron të nevojshme, duke përmendur edhe raste të mëparshme kur, sipas tij, Partia Demokratike ka ndjekur këtë rrugë për vendime të Kuvendit.

Gjatë prononcimit, Balla foli edhe për përdorimin e teknologjisë në proceset zgjedhore, duke deklaruar se Partia Socialiste e mbështet fuqimisht numërimin elektronik.

Sipas tij, përvoja e zgjedhjeve të fundit ka treguar rëndësinë e shpalljes së shpejtë të rezultateve pas përfundimit të votimit.

“PS e mbështet fuqimisht përdorimin e teknologjisë. Kanë mjaftuar disa palë zgjedhje për të konfirmuar se dalja e rezultatit menjëherë pas shprehjes së vullnetit të zgjedhësve është gjëja e duhur”, u shpreh ai.

Balla iu referua edhe deklaratave të kryeministrit për gjetjen e një zgjidhjeje që shmang vonesat e gjata në numërimin e votave.

Ai e cilësoi të nxituar qëndrimin e kreut të Partisë Demokratike kundër kësaj mënyre numërimi, duke theksuar se në zgjedhjet e vitit 2025 numërimi elektronik u përdor në Vorë dhe në Njësinë Administrative Nr. 10 në Tiranë.

Sipas Ballës, në këto raste nuk ka pasur ankesa nga palët për sigurinë dhe cilësinë e numërimit elektronik.

Në përfundim, socialisti përsëriti pritshmërinë e tij që opozita të reflektojë deri të enjten, ndërsa qëndrimet e palëve për Reformën Territoriale dhe organizimin e mëtejshëm të punimeve parlamentare mbeten të ndara.

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.