Nga ishulli grek i Samosit mund të shihen në sfond malet që i takojnë Turqisë. Pamjet e bukura fshehin një realitet të hidhur.

Është e vështirë të arrish të flasësh me një nga refugjatët që mbërrijnë në ishull dhe kthehen mbrapsht, pikërisht sepse ata dëbohen. Por gazetari i PBS-it, arriti të flasë me njërën prej tyre e cila ka ardhur nga Afrika Qendrore. Ai tregon se si shkoi ta takojë gruan që u dërgua mbrapsht në Turqi por arriti të rikthehet përsëri në Samos përmes detit Egje. Gazetari Malcolm Brabant e takoi atë pranë kampit të refugjatëve në Samos, që ka kushte të mjerueshme dhe ruhet nga policia e cila është mosbesuese ndaj gazetarëve dhe kamerave.

Azilkërkuesja që ka ikur nga konflikti në vendin e saj, nuk dëshiron të identifikohet, nga frika e pasojave.

Na çuan në një rrugë mes maleve , derisa arritëm në një port ku pamë një varkë të madhe. Aty e kuptuam që po na kthenin në Turqi. Na hipën në barkë. Kishte shumë dallgë. Na detyruam të vishnim jelekë shpëtimi dhe na thanë se do të na godisnin sërish nëse nuk hipnim në varkë. Na hodhën kuti të vogla me portokalle. Në atë kohë erdhën forc nga Turqia për të na shpëtuar”, thotë ajo.

Kthimi i tyre mbrapsht u bë nën petkun e errësirës. Gruaja dhe migrantët e tjerë u dërguan në lindje të ishullit Lesbos dhe u braktisën pranë ujërave turke.

Ishim në varkë për një kohë të gjatë. Kishte shumë dallgë. Njerëzit bërtisnin. U frikësova. Nuk mund të flisja, isha e dehidratuar. Ata na keqtrajtuan dhe shkelën të drejtat tona njerëzore. Kisha menduar se po të vinim në vendin e tyre për të kërkuar azil, do të na dëgjoni. Por ata e vranë atë shpresë.

Ish-oficeri i ushtrisë britanike Nick Waters është analist dixhital i faqes Bellingcat që përdor informacione publike nga interneti për të ekspozuar shkelje ndërkombëtare.

“Është e pamundur që të kalosh Egjeun me këto gomone të vogla shpëtimi”.

Avokati Dimitris Choulis nga Samos përfaqëson azilkërkuesit. Ai akuzon Greqinë se po kryen shkelje në emër të Bashkimit Evropian.

“I lanë pa ujë, me foshnjat me vete, duke u rrezikuar jetën. Roja jonë Bregdetare Greke i kryen këto krime”, thotë ai.

Më duhet të them se mund ta prisnim një gjë të tillë nga një qeveri si ajo e Rusisë, për shembull, por jo nga qeveria e një vendi evropian”, thotë analisti Waters.

Azilkërkuesit janë të vetëdijshëm për qëndrimin e Greqisë, por nuk stepen nga kërcënimi i kthimit mbrapsht ose nga kushtet e vështira në ishujt grekë. Gazetari i PBS-it shkon më pas për të folur me një të ri palestinez i quajtur Mohammed. 25 vjeçari, mesa duket ka notuar gjatë fundjavës nga Turqia në Samos. Por meqenëse është fundjavë, ai nuk mund të regjistrohet zyrtarisht nga autoritetet. Dhe ai ka frikë se mund të dërgohet mbrapsht. Mohammedi, një specialist i telekomit nga Gaza, notoi tetë orë rresht. Ai tregon pickimet e insekteve që pësoi ndërsa fshihej në pyll.

“Kam dëgjuar nga shumë njerëz dhe miq të mi se rojet bregdetare greke i kapin, i fusin përsëri në anije dhe i kthejnë në ujërat turke. Nuk i lejojnë të kërkojnë azil dhe nuk ua respektojnë të drejtat ligjore.”

Muhamedi ndenji i fshehur deri kur filloi java dhe nën mbrojtjen e Agjencisë së OKB-së për Refugjatët, u regjistrua zyrtarisht dhe u pranua në kampin e refugjatëve. Nga i njëjti kamp gruaja nga Afrika Qendrore i bën thirrje Bashkimit Evropian ta detyrojë Greqinë që t’u përmbahet parimeve bazë të BE-së.

Gjërat duhet të ndryshojnë. Duhen bërë përpjekje për të shpëtuar njerëzit. Ujërat janë të rrezikshme. Është e vështirë. Ata duhet të na dëgjojnë, duhet të na pranojnë, në vend që të na hedhin në det”.

Ajo nuk ka ku të kthehet. Prindërit ia kanë vrarë dhe shtëpia e saj është shkatërruar. Azili është shpresa e saj e vetme, por nuk është një garanci./voa

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *